“Jemi pranë Republikës së Kosovës në këto momente me rëndësi historike, me mbështetje të plotë për luftën e pastër çlirimtare mbi të cilën u ngritën themelet e Republikës së pavarur”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Çairit dhe njëri nga bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti.
Në një mesazh urimi për Albin Kurtin me rastin e rizgjedhjes së tij si kryeministër i Kosovës, Mexhiti është ndalur edhe te zhvillimet që lidhen me luftën çlirimtare dhe proceset juridike që kanë prekur figura të saj.
Mexhiti ka theksuar se, pavarësisht vendimeve juridike apo politike, e vërteta historike dhe sakrificat e popullit të Kosovës nuk mund të fshihen.
“Historia njeh shumë raste kur ligji është përdorur për të marrë vendime kundërthënëse, por asnjë vendim i politizuar nuk mund ta fshijë një të vërtetë historike dhe asnjë autoritet nuk mund ta zhbëjë me një akt juridik atë që një popull e ka fituar me vetëmohim e sakrifica”, ka shkruar Mexhiti.


