Deklarata e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, për Kosovën është skandaloze dhe politikisht e papranueshme.
Në një moment kaq të ndjeshëm për Kosovën, një ministër shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut zgjedh të relativizojë kontekstin historik dhe të përdorë një gjuhë që tingëllon më afër narrativës së Ivan Stoilkoviqit dhe qarqeve proserbe sesa qëndrimit që pritet nga një përfaqësues shqiptar.
Askush nuk e konteston pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejtën e çdo të akuzuari për proces të drejtë. Por të flasësh për drejtësi duke krijuar simetri artificiale, pa përmendur agresionin e regjimit të Millosheviqit, masakrat, dëbimet, dhunën dhe mijëra viktimat shqiptare të luftës në Kosovë, është shtrembërim i realitetit historik.
Është veçanërisht shqetësuese që një ministër shqiptar merr përsipër t’i japë Kosovës leksione për “standardin evropian”, ndërkohë që Serbia vazhdon të mos përballet plotësisht me të kaluarën e saj dhe krimet e kryera në Kosovë.
Kosova ka institucione, ka gjykata dhe ka qytetarë që kanë paguar çmimin më të rëndë për lirinë e tyre. Ajo nuk ka nevojë për moralizime politike nga Shkupi, aq më pak nga një ministër shqiptar që flet me terminologjinë e partnerëve proserbë të kësaj Qeverie.
Aleanca për Shqiptarët e konsideron këtë deklaratë një goditje të rëndë ndaj ndjeshmërisë kombëtare të shqiptarëve dhe kërkon nga ministri i Drejtësisë të sqarojë publikisht qëndrimin e tij.
Shqiptarët në Qeveri nuk janë aty për t’i dhënë legjitimitet narrativave të Stoilkoviqit.
Kosova nuk është temë për relativizim.
Krimet e Serbisë nuk mund të barazohen me luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.
Dhe askush që mban funksion shtetëror me votat e shqiptarëve nuk ka mandat të flasë në emër të tyre me gjuhën e Beogradit.


