Balla: Më 16 shtator ka vetëm një vendim – pafajësia e plotë e 4 komandantëve (VIDEO)

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Shqipëri, Taulant Balla, ka deklaruar se ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë nuk ekziston asnjë provë që, sipas tij, e dëshmon aktakuzën.

Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Balla tha se prokuroria ka tejkaluar mandatin për të cilin ishte themeluar Gjykata Speciale.

“Prokurorët kanë dalë përtej mandatit për të cilin është mandatuar kjo gjykatë. Kur u kërkua ngritja e kësaj gjykate, ajo u ngrit mbi bazën e disa falsifikimeve, disa shpifjeve gjoja për hetim të trafikut ndërkombëtar të organeve. Në aktakuzë nuk ka asgjë për trafik organesh dhe, për pasojë, mandati i asaj gjykate ka rënë”, deklaroi Balla.

Ai tha se pret që vendimi që do të shpallet më 16 shtator të jetë në favor të ish-krerëve të UÇK-së.

“Me 16 shtator ka vetëm një vendim, pafajësi e plotë e katër komandantëve”, u shpreh Balla.