Barcelona kërkon vazhdimësinë, Flick paralajmëron lojtarët: Duhet ta tregojmë në çdo ndeshje

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, kërkon që skuadra të vijojë me të njëjtin ritëm në kampionat dhe të mos devijojë nga rruga e nisur në fillim të sezonit.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes së radhës, tekniku gjerman u shpreh i kënaqur me nivelin e treguar nga skuadra, por theksoi se kërkon të njëjtën qasje në çdo ndeshje.

“Jemi shumë të kënaqur me nivelin në të cilin po luajmë, por e dimë se duhet ta tregojmë këtë në çdo ndeshje. Ky është qëndrimi dhe ky është objektivi ynë. Nëse humbasim 10% të kësaj, atëherë po shkojmë në drejtimin e gabuar”, u shpreh Flick.

Trajneri i Barcelonës përsëriti se objektivi kryesor mbetet përmirësimi i vazhdueshëm i skuadrës, si për lojtarët, ashtu edhe për stafin teknik.

“Objektivi ynë është të përmirësohemi. Kjo është puna jonë dhe ajo që duam, si trajnerë ashtu edhe lojtarë”, tha ai.

Duke folur për ndryshimet në krahasim me sezonet e mëparshme, Flick theksoi se skuadra thjesht ka vijuar të përmirësohet dhe se filozofia e lojës nuk ka ndryshuar.

“Për mua, gjithçka lidhet me mënyrën se si duam të luajmë futboll. Nuk ka asgjë të veçantë. Gjërat ndryshojnë shumë shpejt. E dimë që po e shijojmë këtë moment, por duhet të qëndrojmë të përqendruar. Nëse ndryshojmë qoftë edhe 10%, atëherë po shkojmë në drejtimin e gabuar”, shtoi tekniku gjerman.

Rotacionet – Flick foli edhe për rotacionet në formacion, duke i konsideruar ato një pjesë të rëndësishme të menaxhimit të skuadrës.

“Rotacionet janë pjesë e lojës. Kemi nga tre ose katër lojtarë në çdo pozicion që mund ta mbulojnë atë dhe ata duhet të pranojnë që ndonjëherë një tjetër të luajë”, deklaroi Flick.

Trajneri gjerman shtoi se është i kënaqur me punën e skuadrës në stërvitje dhe se kjo situatë nuk ka ndryshuar.

“E thashë edhe para ndeshjes me Feyenoordin se isha i kënaqur me stërvitjet dhe asgjë nuk ka ndryshuar”, përfundoi Hansi Flick.