Marshohet në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së

“Marshi për Liri” në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, ka nisur në Prishtinë, katër ditë para vendimit të Gjykatës Speciale në akuzat për krime lufte.

Në mbështetje të marshit kombëtar që zhvillohet sot në Prishtinë, në solidaritet me drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora janë nisur drejt Kosovës.

Dhjetëra qytetarë, të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga diaspora, kanë kaluar përmes pikës kufitare të Morinit për t’iu bashkuar marshit në Prishtinë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë nuk do të përbënte vetëm goditje ndaj individëve, por edhe ndaj luftës së UÇK-së.

Organizatorët e platformës “Liria ka Emër” dhe “Marshit për Liri”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se më 16 shtator presin lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.