“Kur flasim për kthesë të gjelbër, flasim për ndryshime konkrete. Prandaj pikërisht janë të rëndësishme investimet në teknologji të reja dhe më efikase, veçanërisht kur bëhet fjalë për Shkupin dhe luftën kundër ndotjes së ajrit“, theksoi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hodha, në vënien e sotme në përdorim solemn të centralit të ri kogjenerativ të kompanisë „Tessa Energy“ në Çair të Shkupit.
Në ngjarje, ku folën edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe përfaqësues të kompanisë, u prezantua faza e parë e ciklit të investimeve, me vlerë prej 2.5 milionë eurosh. Centrali është i pajisur me dy motorë gazi me efikasitet të lartë, të cilët prodhojnë njëkohësisht 2.1 MW energji elektrike dhe 2.6 MW energji termike, duke arritur një shfrytëzim total energjetik deri në 90%.
Ministri Hoxha theksoi se investimi i „Tessa Energy“ dëshmon se sa e rëndësishme është përgjegjësia e të gjithë faktorëve në energjetikë dhe industri për arritjen e ndryshimeve pozitive në mjedisin jetësor, si dhe potenciali i sektorit privat për investime në teknologji më të pastra.
Përmes këtij sistemi, nxehtësia e mbetur nga prodhimi i energjisë elektrike transferohet në sistemin e „Energy Ecolink“ dhe shfrytëzohet për ngrohjen e ujit për rreth 500 amvisëri dhe 14 institucione në komunat e Çairit dhe Butelit.
Njëkohësisht, në ngjarje u paralajmërua edhe faza e dytë e investimit, e cila parashikon ndërtimin e një termocentrali të ri kogjenerativ me fuqi të instaluar prej 10.5 MW, me çka sistemi i ngrohjes qendrore përforcohet dhe rritet prodhimi vendor i energjisë elektrike.
„Investimet e tilla dëshmojnë se zhvillimi ekonomik, siguria energjetike dhe mbrojtja e mjedisit jetësor mund të ecin së bashku dhe të sjellin përfitime konkrete për qytetarët“, porositi ministri Hoxha, duke uruar realizimin e suksesshëm të projektit.


