Ajo ishte Kitty, ndërsa ai quhej Pelu. Vëlla e motër, aleatë dhe bashkëpunëtorë në lojërat e fëmijërisë. Më pas, Pelu u bë Diego Maradona dhe jeta e Kitty-t dhe e gjithë familjes së madhe të Villa Fiorito-s ndryshoi përgjithmonë.
Megjithatë, vitet e vështira të fëmijërisë dhe shtëpia e vogël në periferi të Buenos Airesit, ku u rritën bashkë me gjashtë fëmijë të tjerë, kanë mbetur gjithmonë në zemrën e saj.
Rita Mabel “Kitty” është një nga motrat më të mëdha të Diego Armando Maradonës. Në familje e quanin me përkëdheli “Pelu”, pasi kishte lindur me pak qime në trup. Sot, figura e tij është kudo në Buenos Aires: e pikturuar në muret e shtëpive dhe pallateve, në mijëra bluza dhe në bisedat e banorëve të qytetit.

Në një vend ku futbolli është thuajse fe, Maradona mbetet një figurë që shumë njerëz e konsiderojnë futbollistin më të madh të të gjitha kohërave.
Kitty është 73 vjeç. Ka dy fëmijë dhe ka punuar për shumë vite si punonjëse zyre. Sot është presidente e Sattvica-s, kompanisë që administron të drejtat e markës Maradona. Ajo jeton në një shtëpi të bukur në lagjen La Paternal, një dhuratë nga vëllai i saj.
Intervista
-Cili është kujtimi juaj i parë për Diegon?
“Gjithmonë lidhet me topin. Që kur ishte shumë i vogël, e vetmja gjë që bënte ishte të luante futboll në fushën e vogël pas shtëpisë sonë.”
-Si ishte Diego si fëmijë?
“I turpshëm dhe shumë i lidhur me nënën. Ishte një fëmijë i llastuar, pak i prapë, por shumë bujar dhe i dashur.”
-Si ishte jeta në familjen Maradona në Villa Fiorito?
“Ne, pesë motrat, ndihmonim nënën në shtëpi dhe shpesh kujdeseshim edhe për Diegon. Babai punonte gjithë ditën. Ishte një periudhë e vështirë për prindërit tanë, sepse shpesh nuk kishim para, por ishim shumë të lumtur dhe të bashkuar. Nëna dhe babai përpiqeshin të mos na mungonte asgjë, edhe pse privoheshin nga shumë gjëra.
Babai punonte nga agimi deri në perëndim në një fabrikë që prodhonte fibra çimentoje për çatitë. Ishte punëtor. Ne u rritëm thjesht dhe me dy parime: asgjë nuk arrihet pa punuar dhe nuk duhet të bësh kurrë keq, sepse gjithçka të kthehet mbrapsht.”
-Diego ka treguar se nëna juaj hiqte dorë nga ushqimi për t’ju ushqyer juve…
“Unë nuk e kam kuptuar kurrë këtë, por nëse e ka thënë Pelu, atëherë me siguri ka qenë e vërtetë.”
-Si silleshin prindërit me të?

“Për ta, ai ishte gjithmonë djali special. Nëna i falte pothuajse gjithçka, ndërsa babai ndonjëherë nuk flinte vetëm që ta shoqëronte në stërvitje. Nuk e linte kurrë të shkonte vetëm.
Kthehej nga puna, ndërrohej, lahej, merrte Diegon dhe e çonte në La Paternal, ku ndodhej fusha e Argentinos Juniors. Diego, nga ana tjetër, shkonte pothuajse çdo ditë në këmbë me shokun e tij Vachita për t’i çuar babait drekën në fabrikë, të cilën ia përgatiste nëna.
Nëna ishte ajo që vendoste rregullat në shtëpi. I kishte ndaluar Diegos të luante futboll me këpucët e palestrës, por ai e shkelte rregullin dhe ajo zemërohej. I shkreti Pelu, sepse ato ishin të vetmet këpucë që kishte.”
-Po ju, motrat, si ishit me Diegon?
“Ishe të gjitha shumë të lidhura me të, por me Lili-n kishte një marrëdhënie të veçantë që e ruajti deri ditën që vdiq. Kur ishte i vogël dhe kthehej i mbuluar me baltë pas futbollit, që të mos dëgjonte nënën duke bërtitur, Lili mbushte një legen me ujë dhe e lante jashtë shtëpisë.”
-Kur e kuptuat se kishte një talent të jashtëzakonshëm?
“Kur ishte fëmijë, kuptonim vetëm se ishte më i mirë se shokët e tij.”
-Më pas erdhën Cebollitas dhe Argentinos Juniors. A ndryshoi edhe jeta juaj?

“Ndryshimi i madh erdhi me Argentinos Juniors. Nëna dhe babai më në fund mundën të kishin një shtëpi të tyren. Ishte një moment i madh lumturie. Diego thoshte se ajo kishte qenë dita më e bukur e jetës së tij.”
-Cili ishte idhulli i tij?
“Gjithmonë thoshte se donte të luante si Bochini.”
-Cila ishte ëndrra e tij?
“Të blinte një shtëpi të madhe për nënën dhe babain. Dhe këtë e bëri. Familja u zhvendos fillimisht në Lascano dhe më pas në Villa Devoto, në një shtëpi shumë të madhe me pishinë.
Më pas, kur ishte 23 vjeç, i bleu edhe një shtëpi secilës prej nesh. Në vitin 2019, një vit para se të vdiste, i formalizoi pronësitë. Ndoshta kishte një parandjenjë.
Në Krishtlindjet e fundit na dhuroi të gjithave një buqetë me lule, dokumentin e pronësisë dhe markën e tij. Na tha: ‘Kështu, kur të vdes, mund të jeni të qeta’.”
-Si ishin marrëdhëniet mes vëllezërve?
“Me Lalon nuk fliste prej katër vitesh. Hugo u largua nga Argjentina kur ishte i vogël dhe jetoi në Shtetet e Bashkuara.”
-Si e përjetuat famën dhe pasurinë e jashtëzakonshme të Diegos?
“Ne nuk e kuptuam kurrë plotësisht gjithë atë famë. E kuptonim dashurinë që njerëzit kishin për të, por për ne ai ishte thjesht vëllai ynë. Edhe ai me ne sillej kështu.
Nuk sillej si Maradona, por si Pelu. Kur vinte në shtëpi, qeshnim dhe bënim shaka. I përgatisnim ushqimet e tij të preferuara: puchero, gjellë me mish dhe asado. Pinin mate dhe flisnim gjatë.
Ai nuk pushoi kurrë së na vizituari. I pëlqente shumë të bisedonte me bashkëshortin tim Raul, i cili ishte një mik shumë i mirë i tij.”
-Po për problemet me drogën dhe sëmundjen?
“Për drogën mësuam vetëm ditën kur policia shkoi ta arrestonte në apartamentin e tij në Calle Franklin, në Caballito. Deri atëherë nuk kishim dyshuar kurrë për diçka të tillë.
Sa i përket sëmundjes, preferoj të mos mendoj për të. Jeta pranë tij ishte e mrekullueshme dhe kur ai ishte ke“Nuk e di pse vdiq vëllai im. Këtë do ta përcaktojnë gjyqtarët dhe unë vetëmq, ne ishim gjithmonë pranë tij.”
-Diego vdiq vetëm 60 vjeç. Çfarë mendoni për vdekjen e tij?
“Nuk e di pse vdiq vëllai im. Këtë do ta përcaktojnë gjyqtarët dhe unë vetëm mund të pres. E vetmja gjë që dua sot është që të bëhet drejtësi.
Më dhemb shpirti që nuk e kemi më me vete. Kanë kaluar pothuajse gjashtë vjet dhe ende nuk arrij ta kuptoj plotësisht që ai nuk është më.”
-Cili është kujtimi juaj më i bukur?
“Nëse duhet të zgjedh një, do të thosha hera e fundit që bëmë një foto bashkë. Ishte në vitin 2020, disa muaj para se të vdiste.
Qëndrova të flija me të. U zgjuam në orën pesë të mëngjesit, pimë mate dhe biseduam gjatë. Ai më përqafoi dhe më tha se më donte. Ishte shumë e bukur dhe emocionuese. Ishte përshëndetja e tij e fundit.
Edhe njerëzve të tjerë u tha gjëra që nuk ua kishte thënë kurrë më parë.”

-Sot rreth Maradonës ka një biznes të madh. Si ndiheni për këtë?
“Për këtë çështje nuk flas, sepse ka një proces gjyqësor.”
Kitty është nën hetim si presidente e Sattvica-s, së bashku me motrën e saj Claudia Nora dhe katër persona të tjerë, në një çështje që lidhet me përdorimin e markës Maradona. Padia është bërë nga vajzat e Diegos, Dalma dhe Gianinna, me të cilat ajo nuk ka më marrëdhënie.
-Çfarë ka përfaqësuar Italia dhe Napoli për familjen tuaj?
“Ne motrat kemi qenë në Napoli kur ai luante dhe atje ndodhi diçka të jashtëzakonshme, që nuk e kishim përjetuar as në Argjentinë.
Nuk mund të dilnim nga shtëpia sepse njerëzit na rrethonin. Në rrugë, në restorante, kudo kishte një pasion dhe një dashuri të papërshkrueshme. Nuk do ta harrojmë kurrë.
U rikthyem pas vdekjes së tij, shëtitëm nëpër qytet dhe u gjendëm sërish në një çmenduri të bukur. Njerëzit na njihnin dhe na puthnin duart. Ishte një lumturi e jashtëzakonshme dhe, pa dyshim, një dashuri që nuk do të përfundojë kurrë.”
-Çfarë nuk dihet për Diegon dhe që vetëm një motër mund ta dijë?
“Shijet e tij dhe pasioni për muzikën. I adhuronte kërcimin dhe këngën. Në çdo mbledhje familjare këndonim dhe kërcenim, sidomos për Krishtlindje.”
-Cilën pjesë të jetës në Villa Fiorito do të donit ta përjetonit sërish?
“Darkën, kur të gjithë ishim ulur bashkë, duke qeshur dhe duke bërë shaka.”
-Çfarë do t’i thoshit Diegos nëse do të hynte tani nga ajo derë?
“Faleminderit për gjithçka, Pelu.”


