Kina rrit çmimet e benzinës dhe dizelit për shkak të përshkallëzimit të tensioneve rajonale

Kina do të rrisë çmimet me pakicë të benzinës dhe naftës dizel nga e shtuna, për shkak të ndryshimeve të fundit në çmimet ndërkombëtare të naftës së papërpunuar, njoftoi agjencia zyrtare kineze e lajmeve Xinhua.

Rritja e çmimeve u bë e ditur të premten nga Komisioni Kombëtar për Zhvillim dhe Reforma (NDRC), institucioni kryesor i vendit për planifikimin ekonomik.

Sipas ndryshimit të ri, çmimi i benzinës do të rritet me 260 juanë, rreth 38,76 dollarë, për ton, ndërsa çmimi i naftës dizel do të rritet me 250 juanë, ose rreth 37,27 dollarë, për ton.

Pas rritjes, konsumatorët e naftës dizel do të paguajnë 7,96 juanë, ose 1,19 dollarë për litër, ndërsa konsumatorët e benzinës do të paguajnë nga 8,25 deri në 8,68 juanë, ose nga 1,23 deri në 1,29 dollarë për litër.

Sipas Xinhua-s, NDRC tha se rritja vjen si pasojë e përshkallëzimit të tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit dhe ndikimit të tyre në çmimet ndërkombëtare të naftës që prej rregullimit të mëparshëm të çmimeve të produkteve të rafinuara të naftës në Kinë, më 28 gusht.