Zoti kryeministër Mickoski, çfarë ideje madhështore!
Më në fund e gjetëm problemin kryesor të arsimit.
Nuk qenka cilësia e mësimit.
Nuk qenka mungesa e mjeteve didaktike.
Nuk qenka motivimi i mësuesit.
Nuk qenkan rezultatet e dobëta në testimet ndërkombëtare PlSA.
Nuk qenka rënia e numrit të nxënësve.
Nuk qenka largimi i të rinjve nga vendi.
Jo, jo!
Problemi qenka se fëmijët nuk po e këndojnë himnin çdo të hënë në mëngjes!
Të lumtē, zoti kryeministër!
Më në fund një zgjidhje e thjeshtë për një problem kaq të komplikuar.
Nga e hëna, nxënësi këndon himnin.
Të martën mëson matematikë.
Të mërkurën lexon.
Të enjten përgatitet për provim.
Të premten pyet prindin:
“Babi, kur të rritem, a do të iki edhe unë jashtë?”
Dhe këtu, zoti Mickoski, fillon kënga që ju ndoshta nuk dëshironi ta dëgjoni.
Sepse një fëmijë mund ta këndojë himnin përmendësh dhe prapë të mos besojë te shteti.
Mund ta njohë çdo varg të himnit dhe përsëri të ëndërrojë të largohet sapo të marrë diplomën.
Mund të rreshtohet çdo të hënë para shkollës, por nëse sheh se merita humbet përballë lidhjeve, puna përballë partisë dhe dija përballë interesave, atëherë himni nuk e bind dot.
Patriotizmi nuk futet në kokën e fëmijës me urdhër.
Patriotizmi ndërtohet me shembull.
Me drejtësi.
Me meritokraci.
Me shkollë cilësore.
Me mësues të respektuar.
Me institucione që funksionojnë.
Me mundësi të barabarta.
Dhe mbi të gjitha, me një shtet ku i riu thotë:
“Dua të jetoj këtu dhe ta ndërtoj të ardhmen time këtu.”
Kjo është kënga më e bukur patriotike.
Jo vetëm ajo që këndohet të hënën.
Zoti kryeministër,
nëse doni që fëmijët ta duan shtetin, mos u mjaftoni t’u mësoni himnin. Jepuni arsye ta duan vendin ku jetojnë.
Mos kërkoni vetëm zërin e tyre në kor.
Dëgjoni edhe zërin e tyre kur pyesin pse shokët e tyre po largohen.
Dhe mos harroni një paradoks të vogël:
Mund ta kemi himnin çdo të hënë në mëngjes, por nëse vazhdojmë ta humbim rininë çdo vit, atëherë nuk kemi fituar patriotizëm — kemi fituar vetëm një ceremoni.
Prandaj, zoti Mickoski:
Himni çdo të hënë? — Pse jo!
Por krahas tij, le të kemi edhe:
arsim çdo ditë, meritë çdo ditë, drejtësi çdo ditë dhe përgjegjësi çdo ditë.
Sepse fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për një himn për ta mësuar përmendësh.
Kanë nevojë për një shtet për të cilin ia vlen të mos largohen.
Dhe kjo, zoti kryeministër, nuk zgjidhet me mikrofon.
Zgjidhet me politikë të mirë, arsim të mirë dhe shtet të drejtë.
(Autori është kryetar i Shoqatës së Pedagogëve Shqiptarë në Tetovë)


