Presidenti turk iu referua “zgjedhjeve të ardhshme” gjatë një fjalimi në Rize, ndërsa në vend vijon diskutimi për mundësinë e një votimi të parakohshëm…
Presidenti i Turqisë dhe kreu i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Recep Tayyip Erdogan, riktheu në vëmendje debatin për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, pas deklaratave të bëra gjatë një vizite në Rize.
Sipas gazetës turke Cumhuriyet, Erdogan deklaroi se Turqia duhet të largohet nga “politika e fronteve”, duke theksuar nevojën për unitet në çështjet që lidhen me interesin kombëtar.
Deklaratat e tij morën vëmendje të veçantë pasi presidenti turk kishte folur më herët për “zgjedhjet e ardhshme”, në një kohë kur në Turqi vazhdon diskutimi për mundësinë e një votimi të parakohshëm.
Duke iu drejtuar qytetarëve në Rize, Erdogan tha: “përsëris bindjen time se, me ndihmën e Zotit, do t’i kalojmë me sukses zgjedhjet e ardhshme.”
Presidenti turk foli gjithashtu në mbledhjen e zgjeruar të Këshillit Konsultativ Provincial të AKP-së në Rize, ku një pjesë të rëndësishme të fjalimit ia kushtoi procesit që qeveria turke e quan “Turqi pa terrorizëm”.
“Nuk është zbehur aspak entuziazmi ynë për t’i shërbyer shtetit tonë. Nuk jemi lodhur dhe nuk jemi dekurajuar. E duam këtë vend njësoj si ditën e parë”, deklaroi Erdogan.
Ai shtoi se qeveria do të vazhdojë me durim në rrugën që ka përcaktuar, pavarësisht kundërshtimeve.
“E dimë shumë mirë planet e kujt prishen nga fakti që vendi ynë do të çlirohet nga prangat e terrorizmit, të cilat e rëndojnë prej gjysmë shekulli, dhe do të forcojë vëllazërinë. Çfarëdo që të bëni, nuk mund t’i bëni ujërat të rrjedhin në drejtim të kundërt. Pavarësisht provokimeve, nuk do të heqim dorë nga rruga jonë”, tha Erdogan.


