Është formuar Komisioni për rubinin e Maqedonisë i cili do të punojë në krijimin e një sistemi për certifikimin, gjurmimin dhe mbrojtjen e origjinës së tij si hap i radhës pas njohjes institucionale dhe mbrojtjes së këtij unikaliteti gjeologjik, njoftuan nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale.
Në takimin e sotëm të punës ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska bisedoi me anëtarët e komisionit të sapoformuar, përfaqësues të Entit shtetëror për pronësi industriale, departamenteve kompetente për gjeologji dhe miniera dhe drejtorin e Shërbimit gjeologjik, Ivica Andov.
“Formimi i komisionit paraqet një fazë të re në procesin që filloi me njohjen dhe mbrojtjen institucionale të rubinit të Maqedonisë. Qëllimi është që mbrojtja të mos mbetet vetëm në nivelin e statusit ligjor, por të krijohet një sistem i plotë dhe funksional i cili do të dijë se çfarë nxirret, kush ka të drejtë ta prodhojë dhe ta përpunojë atë, nga vjen rubini dhe në çfarë kushtesh mund të plasohet në treg, të rregulluara me rregulloren e miratuar nga komisioni”, thonë ata.
Nga ministria informojnë se formimi i komisionit paraqet një fazë të re në procesin e mbrojtjes së rubinit, me qëllim krijimin e një sistemi të plotë që do të garantojë origjinën, cilësinë dhe gjurmimin e tij.
Në takim janë përcaktuar prioritetet fillestare të komisionit, duke përfshirë krijimin e një sistemi për certifikimin e rubinit të Maqedonisë, përgatitjen e një katalogu dhe regjistri të prodhuesve dhe përpunuesve të autorizuar, regjistrimin e sasive dhe lëvizjes së rubinëve, si dhe vendosjen e standardeve për përpunimin, etiketimin dhe prezantimin e tyre në treg.
“Kemi bërë një hap historik duke mbrojtur rubinin e Maqedonisë, por puna nuk mbaron këtu. Tani fillon faza tjetër, të krijohet një sistem që do të garantojë se ky është një rubin me origjinë nga Maqedonia i cili është i certifikuar, i regjistruar dhe i mbrojtur”, ka thënë Bozhinovska.


