Deputetja e Frontit Evropian, Dijana Toska, kërkoi përgjegjësi nga ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, për situatën në shkollën e Butelit, ndërsa nga ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, kërkoi sqarim se përse, sipas saj, është ndryshuar qëndrimi për mundësinë që provimi i Jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe.
Mbyllja e paraleles së pestë në gjuhën shqipe në shkollën fillore “Petar Zdravkovski Penko” në Butel dhe çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe u shndërruan në tema përplasjeje gjatë seancës së pyetjeve të deputetëve në Kuvend. Deputetja e Frontit Evropian, Dijana Toska, kërkoi përgjegjësi nga ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, për situatën në shkollën e Butelit, ndërsa nga ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, kërkoi sqarim se përse, sipas saj, është ndryshuar qëndrimi për mundësinë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe.
Në rastin e shkollës “Petar Zdravkovski Penko”, Toska kërkoi nga Janevska të shqyrtojë vendimin për mbylljen e paraleles së pestë në gjuhën shqipe dhe të garantojë hapjen e saj, duke argumentuar se ekziston numër i mjaftueshëm nxënësish për formimin e pesë paraleleve. Deputetja e cilësoi situatën si një problem serioz për fëmijët që, sipas saj, nuk e kanë nisur vitin shkollor si bashkëmoshatarët e tyre. Ajo kritikoi mënyrën e zbatimit të parimit të rajonizimit, duke argumentuar se disa prej fëmijëve që nuk janë pranuar në shkollën “Petar Zdravkovski Penko” jetojnë në territorin e Komunës së Çairit, por në afërsi të drejtpërdrejtë me shkollën në Butel.
“A jeni të vetëdijshëm se çfarë gabimi keni bërë? Një numër i madh i fëmijëve nuk e kanë shijuar ditën e parë të mësimit, 1 shtatorin, si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre”, tha Toska. Sipas saj, arsyetimi se fëmijët nuk mund të regjistrohen në këtë shkollë për shkak se adresat e tyre janë në komunë tjetër krijon një situatë absurde, sidomos kur distanca fizike ndërmjet vendbanimeve dhe shkollës është shumë e vogël.
“Paramendoni ato ndërtesa ku jetojnë këto familje, jetojnë vetëm një rrugë më larg, as dy minuta në këmbë nga shkolla. A është normale që një fëmijë të detyrohet të shkojë në shkollë shumë më larg se ku jeton?”, tha deputetja. Toska ngriti pikëpyetje edhe për kriterin e përdorur për pranimin e nxënësve që kanë vëllezër ose motra të regjistruar në këtë shkollë. Sipas saj, një praktikë e tillë krijon trajtim të pabarabartë ndaj fëmijëve që janë fëmijë të vetëm në familje. Ajo përmendi gjithashtu situatën me paralelet e tjera në shkollë, duke thënë se disa prej tyre kanë një numër shumë të vogël nxënësish. “Në shkollën fillore ‘Petar Zdravkovski Penko’ kemi paralele me nga pesë-gjashtë nxënës, maksimumi dhjetë, madje një paralele është me vetëm katër fëmijë, të gjithë meshkuj. Çfarë do të ndodhë me këto paralele?”, tha Toska.
Deputetja kritikoi edhe deklaratën e ministres Janevska lidhur me mundësinë që fëmijët të shkonin në shtëpi dhe të kërkonin nga prindërit një motër ose vëlla që të mund të përfitonin nga kriteri i pranimit. Ministrja Janevska e hodhi poshtë interpretimin e deputetes, duke deklaruar se në shkollën “Petar Zdravkovski Penko” nuk ka skandal dhe se problemi lidhet me zbatimin e ligjit dhe parimin e rajonizimit.
“Sipas ministres, skandal është kërkesa për shkeljen e ligjit”, tha Janevska, duke argumentuar se nxënësit duhet të ndjekin mësimin në shkollat e komunës ku jetojnë. “Kërkoni që të shkelet ligji. Kërkoni që nxënësit nga një komunë të shkojnë në shkollat e një komune tjetër, edhe pse ju i keni votuar ligjet për arsimin fillor, të mesëm dhe të gjitha ligjet e tjera dhe e dini se ekziston rajonizimi”, tha ministrja. Janevska kundërshtoi edhe të dhënat e Toskes për paralelet me numër të vogël nxënësish dhe theksoi se ajo nuk bën dallim mes nxënësve në bazë të përkatësisë etnike. “Të dhënat që i thatë për katër nxënësit maqedonas nuk janë të vërteta. E nderuar deputete, unë nuk i ndaj nxënësit në përkatësi etnike. Unë nuk udhëheq politika arsimore për maqedonas apo shqiptarë, unë udhëheq politika arsimore për të gjithë nxënësit tanë në këtë shtet”, deklaroi Janevska.
Sipas ministres, në shkollë ekzistojnë paralele të kombinuara dhe paralelja shqipe nuk është hequr, por nuk ka numër të mjaftueshëm nxënësish për formimin e saj. “Po, atje ka paralele të kombinuara, por ashtu është situata. Nuk është hequr paralelja, nuk ka nxënës për atë paralele. Ato nxënës për të cilët thoni se duhej të ishin të regjistruar në atë shkollë duhet të shkojnë në ish-shkollën ‘Nikolla Vapcarov’ (Imri Elezi), e cila është vetëm 400 metra më larg”, tha Janevska.
Sa i përket përparësisë për fëmijët që kanë vëlla ose motër në shkollë, Janevska tha se një vendim i tillë është marrë nga kryetari i komunës për arsye humane. “Sa i përket asaj se mund të regjistrohen ata nxënës që kanë motër apo vëlla, unë mendoj se kryetari i komunës ka sjellë një vendim të tillë për arsye humane”, tha ministrja Janevska Nga arsimi fillor, debati u zhvendos më pas te arsimi juridik dhe mundësia që të rinjtë shqiptarë të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Toska iu drejtua ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke thënë se mijëra të rinj shqiptarë, pasi kanë përfunduar studimet juridike dhe kanë kaluar vite në fakultete, përballen me një tjetër pengesë në momentin kur duan të hyjnë në sistemin juridik. “Bëhet fjalë për mijëra të rinj shqiptarë që kanë kaluar vite në fakultetet juridike, kanë dhënë provimet dhe kanë dhënë mund që të jenë pjesë e sistemit juridik të shtetit, dhe kur duhet këtyre studentëve t’u hapet dera, shteti u bën një pengesë tjetër”, tha Toska.
Ajo e vuri në pikëpyetje ndryshimin e qasjes së ministrit, duke iu referuar deklarimeve të tij të mëhershme se provimi i jurisprudencës duhet të mund të jepet në gjuhën shqipe. “Madje, nga prilli vetë keni deklaruar se kjo nuk është e drejtë, se provimi i jurisprudencës duhet të jepet në gjuhën shqipe. Prandaj edhe unë edhe qytetarët kanë të drejtë të pyesin: çfarë ka ndryshuar, zoti ministër? Përse keni ndryshuar mendimin?”, pyeti deputetja.
Toska kritikoi propozimin për një model të kombinuar, sipas të cilit teoria do të mund të zhvillohej në shqip, ndërsa pjesa praktike në gjuhën maqedonase. Sipas saj, një zgjidhje e tillë nuk siguron barazi të plotë. “Ju jepni një zgjidhje si model i kombinuar: teoria në shqip, praktika në maqedonisht, në një shtet ku drejtësia duhet të jetë e siguruar për të gjithë qytetarët. Ju jepni zgjidhje me 50 për qind të të drejtave. Ju duhet të jeni të njëjtë për të gjithë qytetarët”, tha ajo. Deputetja kërkoi nga ministri që të zhvillojë dialog të drejtpërdrejtë me studentët. Ajo tha se tri parlamente studentore kanë dorëzuar kërkesa dhe se tani përgjegjësia është e institucioneve që të japin përgjigje konkrete. Në përgjigjen e tij, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, e paraqiti çështjen si një problem që shkon përtej një provimi të vetëm dhe lidhet me mundësitë e barabarta për të rinjtë dhe funksionimin e sistemit juridik.
“Çështja e provimit të jurisprudencës nuk është vetëm çështje e një provimi, por çështje për të ardhmen e tyre, për mundësitë e barabarta dhe për shtetin që duam ta ndërtojmë”, tha Shasivari. Ai bëri të ditur se në Ministrinë e Drejtësisë kanë mbërritur pesë kërkesa të arkivuara nga asociacionet studentore të pesë universiteteve në vend, me kërkesë që provimi të mund të jepet në gjuhën shqipe.
“Qëndrimi im është i qartë. Secila nismë që vjen nga studentët dhe nga akademia duhet të shqyrtohet dhe analizohet seriozisht”, tha Shasivari. Sipas tij, përveç kërkesave për provimin në gjuhën shqipe, ka edhe kërkesa që ai të mund të jepet në gjuhën angleze dhe turke. Shasivari tha se çështjen nuk dëshiron ta trajtojë si çështje etnike apo politike, por si problem juridik dhe institucional, duke theksuar nevojën që çdo zgjidhje të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Shasivari premtoi se pas fillimit të vitit akademik do të ftojë përfaqësuesit e unioneve studentore për t’i informuar rreth zgjidhjes së mundshme. “Gjuha mund të jetë e ndryshme, por kriteri duhet të jetë i njëjtë. Në periudhën e ardhshme, prej kur të fillojë viti akademik, do t’i thërras përfaqësuesit e unioneve studentore dhe do t’i informoj ose do t’ua paraqes zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke pasur parasysh se dialogu me akademinë është shumë i rëndësishëm”, deklaroi Shasivari.
Përgjigjja e ministrit, megjithatë, nuk e bindi Tosken. Ajo kundërshtoi argumentin se kërkesat për dhënien e provimit në gjuhët e tjera mund të trajtohen në të njëjtën mënyrë si kërkesa për gjuhën shqipe.


