Partia gjermane AfD vazhdon të mbajë një qëndrim të ashpër kundër pavarësisë së Kosovës, duke kërkuar që Berlini ta anulojë njohjen e saj.
Në dokumente dhe deklarata publike, përfaqësues të AfD-së e kanë quajtur njohjen e Kosovës “gabim”, ndërsa vendin e kanë cilësuar si “shtet të rremë”. Partia ka kundërshtuar ndërhyrjen e NATO-s më 1999 dhe ka kërkuar tërheqjen e Gjermanisë nga KFOR-i, si dhe ndërprerjen e ndihmës për Kosovën.
AfD ka kërkuar gjithashtu kompetenca ekzekutive për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe status të veçantë për kishat e manastiret serbe. Nisma e saj u rrëzua nga Bundestagu në shtator 2024.
Krahas qëndrimit ndaj Kosovës, AfD kundërshton edhe zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, duke propozuar marrëdhënie me rajonin sipas modelit që BE-ja zbaton me Zvicrën dhe Norvegjinë.


