Ervin Demo propozohet nga kryeministri Rama për postin e ministrit të Brendshëm

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Besfort Lamallari, është larguar nga detyra, ndërkohë në vend të tij është propozuar Ervin Demo, transmeton Anadolu.

Ndryshimi në këtë dikaster është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, i cili ka theksuar se ka vendosur të bëjë një lëvizje “në skuadrën që është në fushë”.

“Ervini, ministri i deritanishëm i Pushtetit Vendor do të mbulojë Punët e Brendshme ku do të integrojmë edhe çështjet vendore, diçka që nuk është e re për historikun e ministrisë”, është shprehur Rama.

Lamallari u emërua në postin e ministrit të Punëve të Brendshme në mars 2026, ndërkohë më parë ka mbajtur edhe postin e ministrit të Drejtësisë dhe poste të tjera në institucionet e shtetit shqiptar.

Që prej shtatorit 2025, Ervin Demo ushtron detyrën e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, ndërsa më herët ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Beratit, në periudhën 2019–2025.

Demo do të marrë zyrtarisht detyrën pas dekretimit nga presidenti Bajram Begaj, votimit në Kuvend dhe pas ceremonisë së betimit.

Ndërkohë, sot Klodiana Spahiu mori zyrtarisht detyrën e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pas betimit në Presidencën e Shqipërisë. Spahiu zëvendëson në këtë post ish-ministren Evis Sala, e cila dha dorëheqjen në fillim të shtatorit.