Ligji i ri në Austri ndalon vajzat nën moshën 14 vjeç të mbajnë hixhab në shkolla. Vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të kësaj mase, në institucionet arsimore janë regjistruar një sërë incidentesh dhe përplasjesh.
Problemet janë shfaqur më shpesh në klasat më të larta, pasi disa vajza kanë refuzuar ta heqin hixhabin, duke bërë që shkollat të thërrasin prindërit e tyre, raportoi portali informativ „Der Standard“.
Disa prindër nuk kishin qenë në dijeni të rregullores së re, ndërsa të tjerë, edhe pse e dinin se mund të përballeshin me gjobë deri në 800 euro, i kishin dërguar me vetëdije vajzat e tyre në shkollë me hixhab.
Në rastet kur as prindërit dhe as vajzat nuk kanë pranuar të tërhiqen, në situatë është përfshirë edhe Drejtoria e Arsimit.
Mësuesve u kërkohet të zbatojnë ligjin e ri dhe të menaxhojnë konfliktet, të cilat janë bërë gjithnjë e më të shpeshta gjatë ditëve të fundit.
Qëllimi i ligjvënësve me ndalimin e hixhabit ishte mbrojtja e vajzave nga presioni i jashtëm.
Drejtoresha e një shkolle, Martina Vogel, thotë se bisedat me vajzat dhe prindërit e tyre janë të vështira dhe rraskapitëse.
„Ne përpiqemi t’i inkurajojmë vajzat, por sapo ato forcohen dhe marrin vetë një vendim, ne i kemi duart e lidhura“, tha Vogel.
Mësuesja nga Vjena, Susan Wiesinger, thotë se punonjësit e arsimit në Austri po përballen gjithnjë e më shpesh me konflikte që nga familjet, komunitetet fetare dhe vendet e origjinës përcillen brenda mjediseve shkollore.
„Nuk mund të përcaktohet nëse një vajzë është nën presion familjar apo fetar vetëm duke u bazuar në një veshje. Hixhabi mund të jetë shprehje e detyrimit, por mund të jetë edhe rezultat i një vendimi të vetëdijshëm fetar“, përfundoi mësuesja.


