“Ciklin investues që kemi pasur gjatë periudhës së fundit duhet ta ruajmë. Gjatë 10 tremujorëve të njëpasnjëshëm kemi pasur vazhdimisht normë rritjeje prej rreth dhe mbi 3%, ndërsa në tremujorin e fundit norma e rritjes ishte 4.3%. Kjo tregon se po lëvizim në një trajektore të duhur”.
Kjo u theksua nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, gjatë panelit të diskutimit dedikuar temës “Nga presioni në eurozonë drejt rezistencës fiskale: Prioritetet buxhetore, realiteti në sektorin privat dhe leksionet rajonale”, në suaza të Konferencës Rajonale “Ohër 2026”, ku potencoi se përkrahja e ciklit investues shkon paralelisht me zbatimin e konsolidimit gradual fiskal, i cili duhet të jetë prioritet.
“Çështja është nëse duhet të synohet që deficiti buxhetor të jetë në nivelin e parashikuar. A është ndoshta i nevojshëm edhe një rishikim i vogël i asaj që është projektuar, me qëllim që të përkrahet cikli investues, i cili po zhvillohet përgjatë një periudhe më të gjatë kohore? Kjo ishte një nga sfidat më të mëdha me të cilat u përballëm si Ministri e Financave gjatë përgatitjes së ribalancit të fundit të buxhetit”.
“Vendimi ynë, gjithsesi, ishte që të vendosim ekuilibër. Nga njëra anë, definitivisht do të bëjmë rishikimin e deficitit buxhetor në kahje rritëse, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e këtij deficiti do të destinohet për financimin e projekteve që do t’i sjellin vlerë të shtuar ekonomisë, por njëkohësisht, do të punojmë me kujdes edhe në anën e të ardhurave, sepse konsolidimi fiskal nuk nënkupton përqendrim vetëm në anën e shpenzimeve”, theksoi ministrja.
Ajo thekoi se Maqedonia është një nga vendet që në vitin 2020 kishte deficit të theksuar buxhetor, ndërsa në vitin 2021 nuk arriti ta konsolidonte atë, ku si rrjedhojë e kësaj, konsolidimi fiskal po zhvillohet me ritëm më të ngadalshëm. Gjithashtu, në zbatimin e këtij procesi ndikon edhe pagesa e shpenzimeve që rezultojnë nga të drejtat e përvetësuara me ligj, të cilat në të kaluarën nuk kanë qenë të parashikuara në buxhet.
“Prioritet duhet të jetë konsolidimi fiskal, sepse në fund ai do të ndikojë edhe në vlerësimin kreditor, ndërsa në të ardhmen do të ketë ndikim edhe mbi normat e interesit. Kjo do të thotë se konsolidimi fiskal duhet të jetë prioritet, por jo me çdo kusht sa i përket periudhës kohore brenda së cilës do ta realizojmë. Nuk duhet të nxitojmë me realizimin e konsolidimit fiskal – respektivisht me deficitin buxhetor nën 3% dhe borxhin publik nën 60%, duke rrezikuar që në këtë mënyrë të shkaktojmë çrregullime në investime”, potencoi ministrja e Financave.


