Gjyqi për grabitjen e tmerrshme në banesën e portierit italian, Gianluigi Donnarumma, dhe partneres së tij, Alessia Elefante, ka nisur zyrtarisht në Paris, duke zbardhur detaje rrëqethëse nga ngjarja e vitit 2023. Dëshmitë e sapoformuluara tregojnë shkallën e lartë të dhunës që çifti përjetoi në mes të natës, në shtëpinë e tyre në bulevardin luksoz “Avenue Montaigne”.
Sipas dokumenteve të gjykatës, portieri aktual i Manchester City-t u zgjua nga një prej grabitësit që i kërkoi heshtje, përpara se ta godiste me një dorezë metalike (boks ferri) në fytyrë dhe ta kërcënonte me thikë, duke i kërkuar orët e shtrenjta. Donnarumma, në gjendje shoku, i dorëzoi menjëherë një orë të markës Audemars Piguet.
Edhe më traumatike ka qenë eksperienca për partneren e tij, Alessia Elefante, e cila në atë kohë ishte shtatzënë. Pasi u dorëzoi një orë Cartier, bizhuteri dhe 2,000 euro kesh, agresorët kërkuan me ngulm kodin e kasafortës. Kur ajo u tha se nuk e dinte dhe se kasaforta ishte bosh, grabitësit u tërbuan duke menduar se po gënjente.
“Më tërhoqën nga flokët dhe njëri prej tyre më goditi në kofshë. U thashë që isha shtatzënë, por ata vazhduan,” ka dëshmuar ajo për hetuesit. Çifti përfundoi i lidhur këmbë e duar, ndërsa hajdutët u larguan me çanta luksoze, para dhe çelësat e makinave Mercedes dhe Lamborghini.
Drejtësia po vihet në vend
Hetimet kanë zbuluar se dy persona të burgosur, Ilyas Kherbouch dhe Khyan Mamouni, e kishin orkestruar grabitjen nga qelitë e tyre. Ndërkohë, dy nga autorët direktë (të cilët ishin të mitur në kohën e ngjarjes) janë dënuar tashmë me 3 dhe 4 vite burg. Një tjetër bashkëpunëtor ka pranuar krimin, ndërsa i katërti kreu vetëvrasje në vitin 2024.


