NATO zbulon operacionin sekret rus, tre nëndetëse kapen pranë kabllove nënujore në Norvegji

Aleatët e NATO-s kanë penguar një operacion të fshehtë rus në Arktik, ku tre nëndetëse dyshohet se po stërviteshin për sabotimin e kabllove kritike nënujore të komunikimit.

Sipas Reuters, që citon dy zyrtarë perëndimorë, operacioni rus po zhvillohej pranë arkipelagut Svalbard të Norvegjisë dhe drejtohej nga GUGI, struktura sekrete ruse e specializuar në operacionet nënujore.

Britania, Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara bashkëpunuan për të gjurmuar nëndetëset ruse dhe për t’i devijuar ato përpara se të përfundonin stërvitjen e tyre.

Zyrtarët perëndimorë pretendojnë se Rusia po simulonte përdorimin e një teknologjie sekrete që mund të shërbente për dëmtimin e kabllove nënujore në rast të një konflikti me NATO-n. Ata nuk dhanë detaje mbi armën apo teknologjinë e përdorur.

Gjatë operacionit nuk u dëmtua asnjë kabllo, ndërsa autoritetet britanike dhe norvegjeze i paraqitën Moskës informacionet e mbledhura për të dekurajuar veprime të ngjashme.

“Përmes operacionit tonë të përbashkët, i dërguam Rusisë një mesazh të qartë se nuk mund të veprojë në mënyrë të fshehtë”, deklaroi ministri norvegjez i Mbrojtjes, Tore Sandvik.

Kabllot me fibra optike në fund të detit transportojnë pjesën dërrmuese të trafikut global të internetit dhe janë jetike për komunikimet dhe transaksionet financiare ndërkombëtare.

Vendet e NATO-s kanë shtuar mbikëqyrjen e infrastrukturës nënujore gjatë viteve të fundit, ndërsa ekspertët kanë ngritur shqetësime për aktivitetin rus pranë tubacioneve dhe kabllove të energjisë e telekomunikacionit.

Moska ka mohuar vazhdimisht se kryen operacione sabotimi në vendet e NATO-s, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes nuk komentoi mbi pretendimet e fundit.