Kuvendi i Kosovës do ta vazhdoj sot seancën konstituive, me pikën e rendit të ditës për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, vazhdimi i seancës do të nisë në orën 11:00, në sallën e seancave.
Zgjedhja e nënkryetarëve mbeti pa u përfunduar në vazhdimin e seancës të mërkurën, pasi deputetët nuk arritën pajtim lidhur me mënyrën e votimit të kandidatëve.
Për këtë arsye, kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vendosi që seanca të shtyhej për të premten.
Në mungesë të dakordimit për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit, të mërkurën është ndërprerë seanca për konstituimin e Kuvendit.
Fillimisht, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se kur erdhi radha për propozimin për nënkrytetar nga komuniteti serb, deputeti Igor Simiq bëri deklarim të papranueshëm, pasi iu referua propozimit “në emër të popullit serb”.
Andaj, Haxhiu ftoi Simiqin të marrë fjalën dhe të tërheq deklarimin, duke e bërë propozimin në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Unë e kuptoj lojën që jeni duke e bërë. Sa i përket nenit 67, pika 6 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, ne paraqesim në emër të komunitetit serb në mënyrë të shkruar dhe ju e keni pranuar më 6.08 kërkesën tonë”, tha Simiq.
Kryeparlamentarja i kërkoi sërish Simiqit që të tërheq deklarimin, mirëpo ai nuk e bëri një gjë të tillë, duke theksuar se është pjesëtar i popullit serb.
Më pastaj, kryeparlamentarja theksoi se nga takimi që kishte me grupet parlamentare të partive, nuk kishte dakordim për votimin e nënkryetarëve. Tha se kuptoi që as propozimi i PDK-së dhe as ai i LDK-së, nuk i kanë votat. Dhe se nga LVV-ja kanë shprehur shqetësim për deklairmin e deputetit Igor Simiq.
“Është e qartë që nuk ka vota për propozimet e tyre për t’u zgjedhur nënkryetarët e Kuvendit. Prandaj, konsideroj që duhet dakordim për këtë çështje dhe si rrjedhojë seanca konstituive i vazhdon punimet të premten në orën 11:00”, tha Haxhiu.


