Ushtria serbe stërvitje ushtarake në Sanxhak në afërsi të Kosovës

Ushtria serbe po zhvillon një stërvitje të gjerë ushtarake në rajonin e Sanxhakut, disa kilometra larg Kosovës.

Në stërvitjen me qitje luftarake siç raportohet po marrin pjesë njësitë tokësore, ajrore, speciale dhe të policisë ushtarake. Aktivitetet kryesore në poligon pritet të përfundojnë më 13 shtator, ndërsa stërvitja do të vazhdojë deri në fillim të tetorit.

Në poligonin e përkohshëm ushtarak në Rrafshnaltën e Peshterit po zhvillohet faza aktive e stërvitjes së përbashkët taktike me qitje luftarake “Pobednik 2026”, të organizuar nga Ushtria e Serbisë.

Sipas njoftimit zyrtar, në këtë stërvitje janë angazhuar njësitë e Forcave Tokësore, Forcave Ajrore dhe Mbrojtjes Kundërajrore, si dhe njësitë speciale dhe ato të policisë ushtarake.

Gjatë fazës së parë, sipas një raporti të Ushtrisë së Serbisë, njësitet pjesëmarrëse po realizojnë qitje me municion luftarak, ushtrime taktike, fluturime stërvitore dhe veprime të koordinuara ndërmjet formacioneve të ndryshme.

Aktivitetet e stërvitjes “Pobednik 2026” janë parashikuar të zhvillohen deri në fillim të muajit tetor në disa faza dhe lokacione. Zhvillimi i ushtrimeve të kësaj përmase në Rrafshnaltën e Peshterit e vendos edhe një herë këtë trevë në qendër të aktiviteteve ushtarake të Serbisë. Për shkak të përfshirjes së forcave tokësore, aviacionit, njësive speciale dhe armatimit të rëndë, këto veprimtari ndiqen me vëmendje edhe nga banorët e zonës dhe opinioni rajonal.