Avionët sauditë kryen sot 40 sulme ajrore në katër provinca të Jemenit, përfshirë nëntë sulme në zona të provincës perëndimore Al-Hudaydah, raportoi agjencia e lajmeve Saba, e drejtuar nga Huthit, transmeton Anadolu.
Agjencia, duke cituar një burim të sigurisë, tha se avionët sauditë kryen 10 sulme në rrethet Al-Hazm dhe Al-Ghayl në provincën Al-Jawf dhe tre sulme në rrethin Al-Jubah në provincën Marib. Ajo shtoi se 18 sulme shënjestruan rrethet Mawza, Maqbanah, kryqëzimin e Mokhas dhe zona të tjera në provincën Taiz.
Në Al-Hudaydah, agjencia tha se avionët sauditë kryen nëntë sulme duke shënjestruar rrethet Al-Salif dhe Al-Tuhayta, si dhe ishullin Kamaran. Raporti nuk dha detaje për viktima të mundshme apo për dëmet e shkaktuara nga sulmet.
Pala saudite nuk ka bërë menjëherë ndonjë koment lidhur me raportin.
Jemeni është përfshirë nga konflikti që nga shtatori i vitit 2014, kur Huthit morën kontrollin e kryeqytetit Sanaa dhe disa provincave, duke bërë që një koalicion arab i udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në mars 2015 në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.


