Sarajeva i shkruan OKB-së, kërkon sanksione ndaj Serbisë pas nderimeve shtetërore për Mladiqin

Ministri i Jashtëm i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, u ka dërguar letër të gjitha shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke u kërkuar atyre të reagojnë ndaj nderimeve shtetërore që Serbia i bëri të dënuarit për gjenocid, Ratko Mladiq.

Ai tha se arkivoli i Mladiqit u transportua me aeroplan të Qeverisë së Serbisë dhe u mbulua me flamurin shtetëror ndërsa shtoi se edhe ceremonia përkujtimore u mbajt në Shtëpinë e Ushtrisë, ndërsa varrimi u bë me nderime të plota ushtarake.

Sipas Konakoviq, në ceremoni morën pjesë ministra serbë dhe drejtues të lartë të Republikës Serbe.

Kryediplomati boshnjak tha se presidenti Aleksandar Vuçiq nuk mori pjesë, por mbrojti publikisht veprimet e institucioneve serbe.

Ai i krahasoi këto nderime me një skenar ku një shtet evropian do të nderonte udhëheqësit nazistë Hermann Göring dhe Wilhelm Keitel.

“Nuk mund të ketë standarde për Göringun dhe Keitelin, ndërsa standarde të tjera për Ratko Mladiqin”, shkroi ai, raporton Klix.ba, transmeton KosovaPress.

Konakoviq theksoi se Mladiqi është dënuar përfundimisht për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Ai tha se përdorimi i institucioneve, ushtrisë dhe burimeve shtetërore për nderimin e tij përbën glorifikim institucional.

Në letër përmendet edhe rezoluta e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, e cila dënon glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Konakoviq u kërkoi shteteve anëtare ta dënojnë publikisht glorifikimin e Mladiqit dhe të shqyrtojnë masa kufizuese ndaj përgjegjësve.

Ai kërkoi gjithashtu që të rikonfirmohet autoriteti i vendimeve ndërkombëtare për gjenocidin në Srebrenicë dhe të kundërshtohet mohimi i tyre.

“Heshtja nuk është neutralitet, por rrezik që glorifikimi i kriminelëve të luftës të bëhet normalitet”, përfundoi Konakoviq.