Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, sot realizoi vizitë pune në gjashtë institucione të rëndësishme kulturore, Filharmoninë e Maqedonisë, Teatrin Kombëtar të Maqedonisë, Muzeun e Maqedonisë, Muzeun e Artit Bashkëkohor, Qendrën Nacionale të Konservimit dhe Qendrën e Konservimit – Shkup.
Vizita është pjesë e praktikës së paralajmëruar dhe të zbatuar me përkushtim nga ministri për t’i vizituar personalisht, me radhë, të gjitha institucionet kulturore në vend. Qëllimi është që drejtpërdrejt, në terren, të njihet me punën e tyre të përditshme, kushtet në të cilat krijohen arti dhe kultura, si dhe me sfidat reale me të cilat përballen. Me këtë përcaktim, ministri tregon qartë se nuk punon vetëm nga zyra, por është i pranishëm atje ku kultura krijohet dhe jeton.
Gjatë vizitave, drejtorët e institucioneve e njohën hollësisht ministrin me punën aktuale, aktivitetet programore, sfidat kadrovike dhe infrastrukturore, si dhe me problemet konkrete me të cilat përballen çdo ditë. Bisedat përfshinë edhe mundësitë për përmirësimin e kushteve të punës, avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe planet afatgjata për zhvillim. Vëmendje e veçantë iu kushtua programit për vitin 2027, me ç’rast u shqyrtuan prioritetet, nevojat financiare dhe mundësitë për realizimin e projekteve të rëndësishme kulturore.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të vazhdojë të sigurojë mbështetje të plotë për institucionet, punën dhe programet e tyre, me qëllim fuqizimin e jetës kulturore, avancimin e krijimtarisë artistike dhe sigurimin e kushteve më të mira për zhvillimin e trashëgimisë kulturore dhe artit bashkëkohor në vend.


