ASh i kundërpërgjigjet Janevskës: Rezultatet e PISA 2025, alarm i kuq për arsimin

Aleanca për Shqiptarët i kundërpërgjigjet ministres së Arsimit, Vesna Janevska duke e quajtur të papranueshëm qëndrimin e saj se, fajtori kryesor për rezultate e fundit të Pisa 2025 është qeveria e kaluar.

Janevska drejton ministrinë e Arsimit që nga viti 2024, siç thotë kjo parti, kohë e mjaftueshme kjo për reforma.

Me këtë rast, Aleanca për Shqiptarët kërkon një plan emergjent dhe konkret për cilësinë e mësimdhënies dhe trajtim serioz të rezultateve të PISA 2025.

Njëherë e përgjithmonë, thekson më tej Ash, të hiqet dorë nga politizimi e partizimi i sektorit të arsimit si në emërime, punësime të mësimdhënësve, tekste shkollore fonde, në mënyrë që vendimet të merren mbi bazë meritash dhe nevojash reale të nxënësve

Komunikata e plotë e Ash-së për media

Rezultatet e PISA 2025 tregojnë një realitet shqetësues për sistemin arsimor të Maqedonisë së Veriut ku vetëm 26% e nxënësve arrijnë nivelin bazë në lexim, 32% në matematikë dhe 36% në shkencë, shifra këto shumë nën mesataren e OECD-së. Më shqetësues është fakti asnjë nxënës nuk arrin nivelet më të larta në lexim dhe shkencë, ndërsa në matematikë vetëm 1% arrin këto nivele, krahasuar me 8% mesataren e OECD-së.
Justifikimi i ministres së Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska se qeveria e saj erdhi në pushtet vetëm gjashtë muaj para testimit është i papranueshëm. Ajo drejton Ministrinë e Arsimit që nga viti 2024, kohë e mjaftueshme për reforma konkrete.Hendeku mes nxënësve me rezultate të larta dhe të ulëta është zgjeruar pikërisht gjatë periudhës 2022–2025.
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës një plan emergjent dhe konkret për ngritjen e cilësisë së mësimdhënies, veçanërisht në shkollat me rezultate më të dobëta, transparencë të plotë mbi masat e ndërmarra dhe trajtim serioz të problemeve të identifikuara nga PISA.
Aktualisht si subjekt politik opozitar vlerësojmë se nevojitet një bashkëpunim me opozitën, me ekspertët e arsimit dhe me akademinë, në mënyrë që reformat në arsim të mos varen nga ngjyrimet politike të çdo qeverie të re, por të ndërtohen mbi konsensus e vazhdimësi. Nevojiten masa konkrete e jo premtime për një dekadë më vonë, dhe njëherë e përgjithmonë heqje dorë nga politizimi e partizimi i sektorit të arsimit si në emërime, punësime të mësimdhënësve, tekste shkollore fonde, në mënyrë që vendimet të merren mbi bazë meritash dhe nevojash reale të nxënësve.Arsimi nuk pranon justifikime as pritje dhjetëvjeçare çdo vit i humbur në cilësinë e arsimit dëmton përgjithmonë një brez të tërë nxënësish.