Kancelari gjerman Friedrich Merz akuzoi të mërkurën partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë se mbështet politika anti-emigracion që janë të barazvlefshme me “spastrim etnik”.
Merz iu drejtua parlamentit gjerman pas humbjes të Kristian-demokratëve kundër AfD-së, e cila fitoi zgjedhjet në shtetin lindor të Saksonisë-Anhalt me një platformë kundër emigrantëve.
“Njerëzit me sfond migrimi punojnë gjithashtu në profesionet e kualifikuara. Nëse ajo që po mbështetet këtu, do të bëhej realitet, nuk do të ishte gjë tjetër veçse një sinonim i spastrimit etnik bazuar në origjinë dhe ngjyrën e lëkurës”, tha Merz.
Merz akuzoi gjithashtu Alternativën se mbështet Rusinë, ndërsa tha se autoritetet gjermane shmangën një katastrofë në tentativën për sulm me dron në aeroportin e Lajpcigut, për të cilën Berlini ka akuzuar Moskën.
Kancelari deklaroi se sulmi ishte planifikuar për një kohë të gjatë në Rusi dhe shënjestronte Gjermaninë.
“Ky sulm ishte planifikuar në Rusi për muaj të tërë dhe kishte në shënjestër Gjermaninë, dhe vetëm rastësisht u parandaluan dëme të mëdha materiale dhe dëme njerëzore”, tha Merz.
Rusia ka hedhur poshtë çdo përfshirje në incidentin e dronit në aeroportin e Leipzigut, dhe ministri i saj i jashtëm ka thënë se këto akuza ishin “fillimi i një lufte të vërtetë”.


