Mesazhi “UÇK na bashkon” vendoset në foltoren e Kuvendit të Kosovës

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë organizuar një aksion simbolik në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës duke vendosur një logo me shkrimin “UÇK na bashkon”.

Logoja u vendos pak para nisjes së seancës konstituive, nga deputetët e PDK-së, Eliza Hoxha dhe Artan Behrami ndërsa ky veprim ishte paralajmëruar më herët nga kjo parti.

Ditën e djeshme në qendër të Prishtinës u bë edhe një mural me portretet e katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Këto aksione simbolike i paraprijnë protestës së paralajmëruar më 12 shtator në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Më 16 shtator pritet të shpallet verdikti ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, në një proces që ka tërhequr vëmendje të madhe në Kosovë dhe rajon.

Thaçi dhe të tjerët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndërsa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.