Shkollohen, por nuk arrijnë nivelin bazë! PISA zbulon dështimin e sistemit arsimor

Vetëm 26 për qind e nxënësve të Maqedonisë së Veriut arrijnë nivelin minimal të kompetencës në lexim, 32 për qind në matematikë dhe 36 për qind në shkencë. Rezultatet e reja të PISA-s e vendosin sërish vendin në fund të renditjes rajonale dhe hapin pyetjen se pse reformat e njëpasnjëshme nuk po prodhojnë rezultate.

Rezultatet e reja të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve – PISA 2025 – japin një tjetër sinjal alarmi për sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut. Nxënësit 15-vjeçarë të vendit kanë shënuar 378 pikë në shkencë, 380 në matematikë dhe 357 pikë në lexim, duke mbetur dukshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së. Por shifrat bëhen edhe më shqetësuese kur shikohet niveli minimal i kompetencës. Vetëm 26 për qind e nxënësve arrijnë nivelin bazë në lexim, 32 për qind në matematikë dhe 36 për qind në shkencë. Kjo do të thotë se pjesa dërrmuese e nxënësve nuk arrin as pragun minimal të aftësive që PISA e konsideron të nevojshëm për përballimin e situatave të jetës reale. Në rajon, hendeku është i dukshëm.

Në shkencë, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë nga 435 pikë, Serbia 429, ndërsa Maqedonia e Veriut 378. Në lexim, Kroacia ka 453, Sllovenia 445, Mali i Zi 418, Serbia 415 dhe Shqipëria 408 pikë, krahasuar me 357 pikë të Maqedonisë së Veriut. Edhe në matematikë, me 380 pikë, vendi mbetet pas Sllovenisë, Kroacisë, Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Për kryetarin e Forumit për Ndryshime në Arsim, Blendi Hodai, këto rezultate nuk mund të shpjegohen vetëm me kurrikulën, mësimdhënësit apo mënyrën e testimit. Sipas tij, të dhënat tregojnë për një problem më të thellë dhe sistemik. “Problemi nuk është vetëm se nuk kemi mjaftueshëm nxënës të shkëlqyer; problemi është se shumica nuk e arrijnë as pragun bazë të njohurive dhe aftësive që PISA konsideron të nevojshme për jetën reale”, vlerëson Hodai për gazetën KOHA.

Sipas tij, rezultatet duhet të shihen në një kontekst më të gjerë. Disa tregues që lidhen me infrastrukturën dhe mungesën e stafit janë përmirësuar krahasuar me vitin 2022, por kjo nuk është reflektuar në performancën e nxënësve. Paralelisht, mbeten problem mungesat nga mësimi, vonesat, shpërqendrimi digjital dhe rënia e përfshirjes së prindërve. Kjo, sipas Hodait, tregon se sistemi nuk po arrin t’i shndërrojë kurrikulat, mësimdhënien dhe investimet në rezultate konkrete te nxënësi. Maqedonia e Veriut është 104 pikë nën mesataren e OECD-së në shkencë dhe lexim, ndërsa në matematikë hendeku është 83 pikë. PISA 2025 është veçanërisht e rëndësishme sepse shkenca ishte fusha kryesore e këtij cikli. Vlerësimi nuk mat vetëm nëse nxënësit kanë mësuar përmendësh njohuri, por edhe nëse dinë t’i përdorin ato për të zgjidhur probleme dhe për të arsyetuar në situata reale.

Për Hodain, rezultatet e dobëta nuk duhet të kalojnë edhe këtë herë vetëm në një debat disa-ditor. Ai kërkon që shteti ta trajtojë situatën si një problem që prek të ardhmen e vendit. “Qeveria duhet t’u bjerë kambanave të alarmit, sepse kjo nuk është më vetëm çështje e arsimit, por urgjencë shtetërore”, thotë Hodai, duke paralajmëruar se pas çdo cikli të PISA-s përsëritet i njëjti model: rezultate të dobëta, debat publik, premtime për reforma dhe më pas rikthim në normalitet. Sipas analizave të mëparshme të Forumit për Ndryshime në Arsim, hendeku në rezultatet e PISA-s mund të përkthehet edhe në një deficit të konsiderueshëm të njohurive gjatë viteve të shkollimit. Hodai e vlerëson këtë hendek në rreth 800 deri në 900 orë mësimore njohuri më pak krahasuar me bashkëmoshatarët në një pjesë të vendeve evropiane.

Përtej shifrave, pyetja kryesore mbetet se çfarë do të bëhet pas publikimit të rezultateve të reja. Hodai kërkon që fokusi të vendoset te aftësitë bazë në lexim, matematikë dhe shkencë, te cilësia dhe mbështetja profesionale e mësimdhënësve, te mungesat nga mësimi dhe te matja e vazhdueshme e rezultateve në nivel shkolle. “Çdo reformë e ardhshme duhet të ketë objektiva të matshme, afate të qarta dhe përgjegjësi konkrete. Problemi ynë prej vitesh nuk është se nuk kemi bërë reforma në letër; problemi është se askush nuk mban përgjegjësi kur ato nuk japin rezultat”, thotë Hodai.

Rezultatet e PISA-s nuk janë një provim individual për nxënësit, por një matje ndërkombëtare e performancës së sistemeve arsimore. Pikërisht për këtë arsye, rezultatet e vitit 2025 nuk janë vetëm një pasqyrë e nxënësve 15 vjeçarë, por edhe një test për mënyrën se si funksionon vetë sistemi arsimor i vendit.