Bujar Osmani: Pavarësia duhet të dëshmohet çdo ditë me barazi dhe institucione që u përkasin të gjithëve

Zëvendëskryetari i BDI-së, Bujar Osmani, me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ka përcjellë një mesazh ku thekson rëndësinë e barazisë, bashkëjetesës dhe orientimit euroatlantik të vendit.

Osmani ka thënë se pavarësia nuk duhet të shihet vetëm si një datë historike, por si një vlerë që duhet të dëshmohet përmes funksionimit të institucioneve dhe trajtimit të barabartë të qytetarëve.

“Para 35 viteve u shpall pavarësia e vendit tonë. Por pavarësia nuk është vetëm një datë në kalendar. Ajo duhet të dëshmohet çdo ditë, me institucione që u përkasin të gjithëve dhe me një shtet ku secili ndihet i barabartë dhe i respektuar”, ka deklaruar Osmani.

Sipas tij, vendi ka qenë më i fuqishëm sa herë që ka zgjedhur bashkëjetesën dhe barazinë, ndërsa Marrëveshja e Ohrit, anëtarësimi në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Evropian kanë përcaktuar karakterin dhe drejtimin strategjik të shtetit.

“Maqedonia e Veriut ka qenë më e fortë sa herë që ka zgjedhur bashkëjetesën, barazinë dhe orientimin euroatlantik. Marrëveshja e Ohrit e ka forcuar këtë karakter të përbashkët të shtetit, ndërsa NATO dhe rruga drejt Bashkimit Evropian përcaktuan drejtimin tonë strategjik”, ka theksuar ai.

Osmani ka kritikuar, në mënyrë të tërthortë, çdo qasje që mund të çojë drejt përjashtimit dhe ndarjeve, duke thënë se dashuria ndaj shtetit nënkupton ruajtjen e tij nga kthimi prapa.

“Sot, ta duash shtetin do të thotë ta ruash nga përjashtimi, ndarjet dhe kthimi prapa. Ta bësh më të drejtë, më të bashkuar dhe më evropian për gjeneratat që vijnë”, ka shkruar Osmani.

Në fund, ai ka uruar qytetarët për 8 Shtatorin, duke e cilësuar atë si Ditën e Pavarësisë së “shtetit tonë të përbashkët”.

“Gëzuar 8 Shtatorin, Ditën e Pavarësisë së shtetit tonë të përbashkët!”, ka përfunduar Osmani.