Në vend të urimit për 35 vjet pavarësi

35 vjet më vonë, pyetja nuk është vetëm sa i pavarur është shteti. Pyetja është: a kemi arritur më në fund ta ndërtojmë një shtet që u përket të gjithëve njësoj, apo po provojmë përsëri formulën që një herë na çoi në konflikt? Vetëm një i marrë mund ta përsërisë të njëjtin eksperiment, me të njëjtat premisa dhe të presë rezultate të ndryshme

Nga Sefer SELIMI

35 vjet më parë u shpall pavarësia e Maqedonisë, sot Maqedonia e Veriut, nga Federata Jugosllave që ishte në prag të kolapsit dhe luftërave të përgjakshme.

Por shkëputja nga Jugosllavia nuk nënkuptoi edhe shkëputje nga mentaliteti i mbrapshtë politik i Beogradit. Veçanërisht jo në raport me shqiptarët.

Shteti i ri u ndërtua mbi premisën se i përkiste para së gjithash një etnie, ndërsa të tjerët duhej të përshtateshin me të. Shqiptarët nuk u trajtuan si pjesë e barabartë e realitetit politik dhe shoqëror të shtetit por si një problem që duhej menaxhuar. Kërkesat për barazi perceptoheshin si kërcënim, ndërsa përjashtimi si normalitet.

Dekada e parë e pavarësisë e dëshmoi këtë në mënyrën më brutale.

Një seri ngjarjesh të dhunshme përcollën raportin e shtetit me shqiptarët: ngjarjet e Bit Pazarit, protestat kundër arsimit të lartë në gjuhën shqipe, themelimi i përgjakshëm i Universitetit të Tetovës dhe ngjarjet e Gostivarit. Secila prej tyre kishte rrethanat e veta, por të gjitha buronin nga i njëjti problem themelor: refuzimi për ta pranuar barazinë si parim mbi të cilin duhej të ndërtohej shteti i ri.

Përjashtimi nuk ishte vetëm politik dhe kulturor. Ishte edhe ekonomik.

Mënyra se si u zhvillua privatizimi i pronës shoqërore krijoi një disavantazh të jashtëzakonshëm ekonomik për shqiptarët. Pasuria publike u bë pronë private e një grupi ekluziv të lidhur me pushtetin e vjetër dhe atë të ri dhe i dizejnuar për të përjashtuar shqiptarët. Disproporcioni i thellë në përfaqësimin në administratë, polici, ushtri dhe institucionet e tjera publike, ndërkohë, e shndërroi shtetin në burim punësimi, sigurie ekonomike dhe privilegjesh vetëm për një pjesë të shoqërisë.

Një pushtet skajshmërisht i centralizuar i jepte qendrës pothuajse ekskluzivitetin e plotë mbi shpërndarjen dhe përdorimin e resurseve publike  dhe financiare. Rezultati ishte zhvillim i pabarabartë, komuna me mundësi të kufizuara për të ndikuar mbi fatin e tyre dhe një ndjenjë gjithnjë e më e thellë se shteti nuk u përkiste të gjithëve njësoj.

Prandaj, konflikti i vitit 2001 nuk erdhi nga askund.

Ai ishte kulmimi i një dekade gjatë së cilës elitat politike etnike maqedonase refuzuan të pranonin një realitet të thjeshtë: ky shtet nuk mund të funksionojë si ekskluzivitet i një etnie.

Marrëveshja e Ohrit ishte përgjigjja politike ndaj këtij dështimi. Ajo nuk ishte vetëm marrëveshje për ndërprerjen e konfliktit. Ishte përpjekje për ta korrigjuar modelin mbi të cilin ishte ndërtuar shteti gjatë dekadës së parë: përmes përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, përdorimit të gjuhës shqipe, shumicës së dyfishtë, decentralizimit dhe transferimit të kompetencave më afër qytetarëve.

Por pikërisht këtu filloi rezistenca tjetër.

Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit u përcoll vazhdimisht me përpjekjen që çdo hap drejt barazisë të paraqitej si lëshim. Përfaqësimi si humbje. Gjuha shqipe si kërcënim. Badenteri si pengesë. Decentralizimi si dobësim i shtetit.

Kjo nuk ishte vetëm rezistencë ndaj dispozitave të caktuara kushtetuese apo ligjore por ishte dhe vazhdon të jetë, një doktrinë politike e nacionalizmit etnik maqedonas që shtetin e percepton si pronë të shumicës, ndërsa barazinë me shqiptarët si koncesion që ajo shumicë ua bën të tjerëve.

Sot, 35 vjet pas pavarësisë dhe 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, rrezikojmë të bëjmë një rreth të plotë.

Rikthehen në diskutim mekanizma që u krijuan pikërisht si përgjigje ndaj dështimeve të dekadës së parë. Po rikthehen dilemat për gjuhën, përfaqësimin e drejtë, shumicën e dyfishtë dhe decentralizimin. Dhe, mbi të gjitha, po rikthehet ideja se barazia mund të negociohet në varësi të shumicës politike të momentit.

Historia duhet të na kishte mësuar të kundërtën: kur rikthen proceset që prodhuan problemet e vjetra, nuk duhet të habitesh kur rikthehen edhe problemet e vjetra.

Prandaj, në vend të një urimi ceremonial për 35 vjet pavarësi, sot na duhet reflektim.

Pavarësia nuk matet vetëm me shkëputjen nga një federatë. Matet edhe me aftësinë për t’u shkëputur nga mentalitetet që ajo na la pas.

Dhe 35 vjet më vonë, pyetja nuk është vetëm sa i pavarur është shteti.

Pyetja është: a kemi arritur më në fund ta ndërtojmë një shtet që u përket të gjithëve njësoj, apo po provojmë përsëri formulën që një herë na çoi në konflikt?

Vetëm një i marrë mund ta përsërisë të njëjtin eksperiment, me të njëjtat premisa dhe të presë rezultate të ndryshme.