Kanada vendos tarifat hakmarrëse ndaj mallrave amerikane

Tarifat hakmarrëse të Kanadasë ndaj një sërë produktesh amerikane hynë në fuqi të martën, ndërsa ende nuk ka shenja për një marrëveshje të re tregtare mes dy vendeve.

Masat prekin mallra amerikane me vlerë rreth 28 miliardë dollarë kanadezë, përfshirë çelikun, mobiliet dhe veshjet, ndërsa tarifat do të arrijnë deri në 50%.

Kanadaja hoqi më pas nga lista peshkun dhe karavidhet, pas kundërshtimeve nga industria vendase e prodhimeve të detit.

Kryeministri kanadez Mark Carney ka deklaruar se vendi mbetet i gatshëm të negociojë një marrëveshje “të qëndrueshme” me SHBA-në.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi amerikan për tregtinë, Jamieson Greer, tha se tashmë “topi është në fushën e Kanadasë” dhe paralajmëroi se Uashingtoni mund të marrë masa të tjera hakmarrëse.

Presidenti Donald Trump ka kërcënuar gjithashtu se do të ndërpresë të gjitha bizneset në SHBA  me prodhuesin kanadez të avionëve Bombardier, nëse kompania nuk zhvendos një pjesë të prodhimit në SHBA.

SHBA dhe Kanadaja kanë një nga marrëdhëniet tregtare më të mëdha dypalëshe në botë, me një volum tregtie prej afro 900 miliardë dollarësh në vitin 2025. Ekonomistët paralajmërojnë se përshkallëzimi i konfliktit tregtar mund të rrisë çmimet për konsumatorët në të dyja vendet.

Ndërkohë, Carney ka premtuar se Kanadaja do të përpiqet të diversifikojë tregtinë dhe të ulë varësinë nga tregu amerikan.