Urim Saliu
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë kaluar nga përjashtimi politik te një përfaqësim i zbehtë, shpesh pa ndikim. Lufta e vitit 2001 i hapi rrugë marrëveshjes së Ohrit, por ajo nuk garantoi as emancipimin institucional, as fuqinë e barabartë në shtet. Nga të gjitha periudhat e përfaqësimit të tyre, ka një moment të veçantë që shumë qytetarë e kujtojnë si kohën kur shqiptarët ndiheshin të mbrojtur: kur PDSH-ja dhe Menduh Thaçi ishin pjesë e qeverisë.
Nuk është çështje nostalgjie, por krahasimi i një realiteti të tashëm me një të kaluar që kishte tensione, por kishte edhe fuqi politike. Në vitet 2006–2008, Menduh Thaçi ishte partner në një qeveri që udhëhiqej nga Nikolla Gruevski , një lider autokrat në sytë e Europës, por bashkëpunues dhe i qartë në marrëveshjet me përfaqësuesit shqiptarë. Thaçi, në atë marrëdhënie, nuk ishte figurant. Kishte ndikim real në ndarjen e buxheteve, në emërimet në administratë dhe në avancimin e kauzave shqiptare përmes institucioneve.
Në atë periudhë, Universiteti i Tetovës u zgjerua, Universiteti i Evropës Juglindore u konsolidua si një qendër elitare arsimore, Instituti i Trashëgimisë Shqiptare u themelua si institucion i kujtesës kolektive shqiptare. Këto nuk ishin simbole , ishin instrumente fuqizimi.
Por çfarë kemi sot?
Sot, përfaqësimi shqiptar është në duart e një koalicioni të fragmentuar, që funksionon pa bosht ideologjik dhe pa qartësi strategjike. VLEN-i, që u mbështet si një alternativë ndaj BDI-së, nuk ka krijuar diskurs të vetin. Në vend të një lidershipi që shkon në zyrat e fuqisë për të kërkuar barazi, kemi një kulturë negocimi me letra të hapura dhe konferenca të stilit OJQ. Liderët aktualë nuk prodhojnë ide, nuk artikulojnë strategji dhe nuk i shërbejnë qartësisë politike. Ata nuk mbrojnë shqiptarët , ata i relativizojnë kërkesat e tyre.
Në këtë sfond, rikthimi i Menduh Thaçit nuk është kthim në të shkuarën, por ndoshta një përpjekje për të mos humbur edhe atë pak që ka mbetur nga ideja e përfaqësimit. Ai është i vetmi lider shqiptar në Maqedoni që ka një qëndrim të qartë për VMRO-në, për Maqedoninë si shtet multinacional dhe për konceptin e një partneriteti real mes komuniteteve. Ai është i vetmi që flet hapur për “çka do të thotë të jesh shqiptar në shtet” dhe që nuk e përkufizon bashkëjetesën me fjalime të buta, por me kërkesa konkrete.
Vetë rizgjedhja e Mickoskit si kryetar i VMRO-së – me unanimitet është sinjal që pala maqedonase po kërkon njëfarë konsolidimi kombëtar. Nëse shqiptarët shkojnë përballë kësaj me një përfaqësim të dobët, pa kurriz, pa vizion dhe pa strukturë, atëherë procesi i integrimit dhe vetë barazia etnike do të zbehen më shumë.
Politika është çështje fuqie dhe fuqia nuk vjen nga retorika, por nga pozicionimi. Në këtë kuptim, Menduh Thaçi është i vetmi që ka provuar se di të pozicionohet në mënyrë të tillë që shqiptarët të mos përjashtohen. Ai mund të ketë bërë gabime, por kurrë nuk ka qenë i papërcaktuar.
PDSH-ja është më shumë sesa një parti që kërkon të kthehet në Kuvend. Ajo është një thirrje për shqiptarët që të mos kënaqen me përfaqësim folklorik. Është një sinjal se, përballë një Maqedonie që kërkon të rikthejë një identitet të vetëm, shqiptarët kanë nevojë për një ide politike të fuqishme, të përqendruar dhe të artikuluar.
Nuk bëhet fjalë për një vendim sentimental. Bëhet fjalë për një zgjedhje politike: a do të vazhdojmë të jemi një komunitet që përfaqësohet me konferenca shtypi, apo do të kthehemi në një forcë reale që kërkon pushtet dhe barazi?
Nëse Menduh Thaçi është figura e vetme që e artikulon këtë qartësisht, atëherë ai nuk është pjesë e së shkuarës është sfidë për të ardhmen.


