Kosova bëhet me xhandarmëri/Kurti: Jemi më të sigurt se kurrë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar forcimin e mëtejshëm të strukturave të sigurisë me themelimin e Xhandarmërisë, e cila sipas tij do të jetë një përforcim shtesë për Policinë e Kosovës.

Deklarata u bë gjatë ceremonisë së 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ku Kurti tha se vendi është sot më i sigurt se më parë, duke e lidhur këtë me forcimin e kapaciteteve policore dhe shtrirjen e tyre në të gjithë territorin.

Sipas Kurtit, gjatë viteve të fundit janë ngritur dhe forcuar mbi 20 stacione dhe baza policore në veri të Kosovës, në zona ku sipas tij më parë mungonte prania e tillë institucionale. Ai e lidhi këtë forcim edhe me luftën kundër krimit të organizuar dhe kontrollin e territorit.

Një nga deklaratat më të rëndësishme të Kurtit lidhej pikërisht me strukturën e re të sigurisë.

“Themelimi i Xhandarmërisë do të shërbejë si një përforcim shtesë”, tha Kurti, duke shtuar se ajo do të ketë mandat për sigurinë e vijës ajrore dhe tokësore të Kosovës.

Në ceremoninë e përvjetorit u përkujtuan gjithashtu pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Policia e Kosovës u themelua më 6 shtator 1999, kur gjenerata e parë prej 176 kadetësh nisi trajnimin. Sot institucioni numëron mbi 9 mijë pjesëtarë.