Rajoni i Prilepit përballet me rrezik serioz nga përhapja e sëmundjeve infektive për shkak të shkallës së pamjaftueshme të imunizimit. Ndonëse përqindja në këtë rajon është pak më e lartë se mesatarja shtetërore, e cila arrin vetëm 62 për qind, ajo mbetet shumë larg nivelit të nevojshëm prej 95 për qind. Nga Qendra e Shëndetit Publik në Prilep paralajmërojnë se gjendja vazhdon të jetë kritike.
Sipas epidemiologes dr. Tatjana Stanimiroviq, shkaqet kryesore janë mosbesimi ndaj vaksinave, dezinformatat dhe mungesa serioze e personelit mjekësor.
Mungojnë mjekë, infermierë dhe infermierë të patronazhit, ndaj pikat e vaksinimit punojnë vetëm në një ndërrim. Vaksinimi në terren dhe kujdestaritë gjatë fundjavës, të cilat praktikoheshin më parë, tashmë nuk realizohen.
Prindërit njoftohen kryesisht përmes mesazheve SMS, duke e kufizuar komunikimin e drejtpërdrejtë dhe informimin e tyre. Problem i veçantë është shtyrja e vaksinës MRP. Për shkak të frikës dhe pretendimeve të pabazuara lidhur me zhvillimin psikomotor të fëmijëve, disa prindër e shtyjnë vaksinimin deri në vitin e tretë ose të katërt, në vend që ai të kryhet në vitin e dytë.
Epidemiologët kërkojnë ndryshime urgjente ligjore, angazhim më të madh të mjekëve amë, luftë institucionale kundër lajmeve të rreme dhe plotësim të ekipeve të imunizimit. Ata paralajmërojnë se rreziku i përhapjes së epidemive nga vendet fqinje është real, siç dëshmuan epidemia e fundit e pertusisit dhe kërcënimi nga fruthi.


