Kryqi i Kuq Holandez ka shprehur shqetësim për situatën humanitare në Gaza, duke paralajmëruar se dërgesat e furnizimeve me ndihma kanë rënë në një nivel kritik.
Organizata tha se gjatë muajit gusht vetëm 93 paleta me furnizime humanitare arritën te Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, organizata homologe e Kryqit të Kuq në Gaza, krahasuar me më shumë se 1.500 paleta në nëntor të vitit të kaluar.
Ajo tha se Izraeli nuk po lejon hyrjen e mallrave të mjaftueshme në Gaza, duke shkaktuar mungesa të barnave, ushqimit, karburantit dhe furnizimeve të tjera mjekësore.
“Këtë javë në Gaza janë ndërprerë të gjitha operacionet në zemër, sepse nuk ka materiale të mjaftueshme për kryerjen e tyre”, tha për transmetuesin publik NOS drejtori i Kryqit të Kuq holandez, Harm Goossens.
Goossens tha se spitalet në Gaza shpesh nuk janë më plotësisht funksionale, duke theksuar seriozitetin e situatës.
Duke rikujtuar një marrëveshje të arritur pas armëpushimit me Izraelin, sipas së cilës 600 kamionë me ndihma duhej të hynin çdo ditë në Gaza, Goossens tha se “as që po i afrohemi këtij objektivi”.
“Pasoja është se ndihma humanitare atje rrezikon të ndalet plotësisht”, theksoi Goossens.
Ai tha se njerëzit në Gaza vazhdojnë të jenë në “gjendje të plotë mbijetese”.
“Ata presin me orë të tëra në radhë për ujë. Njerëzit jetojnë në tenda me nga 10, 15 dhe ndonjëherë edhe 20 persona”, shtoi Goossens.
Ai gjithashtu shprehu shqetësim për afrimin e vjeshtës, duke paralajmëruar për rrezikun e sëmundjeve për shkak të kushteve më të ftohta dhe me më shumë reshje.
“Është zhgënjyese që zgjidhja ndodhet vetëm disa kilometra larg. Këto furnizime mund të shpëtonin menjëherë jetën e njerëzve të plagosur dhe të sëmurë. Si organizatë humanitare, dëshiron të bësh atë për të cilën ekziston, të shpëtosh jetë. Tani punonjësit tanë humanitarë i kanë duart e lidhura”, shtoi ai.


