Tetova sot ka qenë në qendër të vëmendjes së sportit dhe turizmit rajonal. Në qytet është zhvilluar SharrCup, një aktivitet që ndërthur sportin, natyrën dhe promovimin e potencialeve turistike të Tetovës dhe Malit Sharr.
Sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në garë morën pjesë rreth 80 çiklistë nga gjashtë shtete: Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Greqia, Zvicra dhe Bullgaria.
Kasami tha se organizime të tilla janë pjesë e synimit për ta pozicionuar Tetovën si një destinacion ku gjatë gjithë vitit zhvillohen aktivitete sportive, kulturore dhe turistike.
“Tetova sot është qendra e çiklizmit!”, deklaroi Kasami, duke theksuar se qyteti synon të tërheqë më shumë vizitorë dhe të promovojë potencialet natyrore të Tetovës dhe Malit Sharr.
Sipas tij, aktivitetet e këtij lloji kontribuojnë në krijimin e një imazhi të Tetovës si qytet aktiv, modern dhe i hapur, me ambicie për të zhvilluar më tej sportin dhe turizmin.
SharrCup kështu e kthen Tetovën në një pikë takimi për çiklistët e rajonit, ndërsa Mali Sharr shërben si një nga asetet kryesore natyrore për zhvillimin e turizmit sportiv.


