Aleanca për Shqiptarët dënon glorifikimin e Ratko Mlladiqit: “Gjenocidi nuk relativizohet, kriminelët e luftës nuk nderohen”

Aleanca për Shqiptarët dënon me neveri çdo përpjekje për glorifikimin e Ratko Mlladiqit, njeriut të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Mbi 8 mijë burra dhe djem u vranë në Srebrenicë. Mijëra civilë u vranë gjatë terrorit mbi Sarajevën. Për këto krime ka vendime gjyqësore të formës së prerë. Këtu nuk ka vend për mite, romantizim dhe histori të rishkruara sipas dëshirës së nacionalistëve.

Kush e madhëron një kriminel lufte, fyen viktimat, familjet e tyre dhe vetë njerëzimin. Glorifikimi i një njeriu të dënuar për gjenocid është turp moral, njerëzor dhe politik.

Na shqetëson thellë fakti që në rrjetet sociale po shohim edhe bashkëqytetarë tanë maqedonas që shprehin admirim dhe mirënjohje për Ratko Mlladiqin. Kjo është shenjë alarmi për shoqërinë tonë. Kokat e helmuara nga nacionalizmi duhet të shërohen, sepse Ballkani e ka paguar shumë shtrenjtë këtë sëmundje.

Maqedonia e Veriut synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në një shtet që pretendon se ndan vlerat evropiane nuk ka vend në institucionet publike dhe në jetën publike për glorifikimin e të dënuarve për gjenocid dhe krime lufte.

Viktimat meritojnë respekt.

Gjenocidi nuk relativizohet.

Kriminelët e luftës nuk nderohen.

Glorifikuesit e tyre duhet të përballen me dënimin e plotë moral dhe publik të shoqërisë.