
SDSM sot, përmes konferencës për shtyp të zëdhënëses dhe anëtares së IO, Bogdanka Kuzeska, drejtoi akuza ndaj kryeministrit Hristijan Mucunski se larg syve të opinionit po negocion biznese me resurset strategjike të shtetit.
“Çdo ditë dalin detaje të reja që e konfirmojnë atë për të cilën SDSM paralajmëron: nën radar, larg syve të qytetarëve, po negociohen biznese me resurset strategjike të Maqedonisë: ujin, rrymën, tokën. Mucunski thotë se gjithçka do të jetë transparente, ndërsa publikisht pranon se po negocion me 5‑6 investitorë. Me kë po negocion Mucunski ‘nën radar’ askush nuk e di. Emra nuk publikohen”, deklaroi Kuzeska.
Ajo pyeti kujt po i vihen në dispozicion resurset dhe sa do t’i kushtojë kjo qytetarëve në para, ujë dhe tokë pjellore, duke vlerësuar se kryeministri punon pa transparencë.
Nga SDSM reaguan edhe ndaj deklaratave të deputetit të VMRO‑DPMNE, Mile Lefkov, duke theksuar se pretendimet se data‑centrat komercialë janë të lidhur me agjendën reformuese evropiane përbëjnë manipulim.
“Pretendimet se data‑centrat komercialë kanë lidhje me Agjendën Reformuese me Bashkimin Evropian janë gënjeshtër klasike. Çfarë të përbashkët ka data‑centri kombëtar për ruajtjen e të dhënave të institucioneve shtetërore me data‑centrat komercialë që Mucunski i negocion për ndonjë investitor të huaj, me konsum të madh të rrymës dhe ujit? Absolutisht asgjë”, tha Kuzeska.
Sipas zëdhënëses së partisë opozitare, VMRO‑DPMNE i ngatërron obligimet publike me investimet private për të mbuluar interesat private dhe agjendën e pa realizuar reformuese.
“VMRO‑OKG gënjen aq shumë dhe me vetëdije i manipulon qytetarët për t’i hutuar dhe për ta mbuluar qëllimin e vërtetë – resurset e shtetit t’i vë në funksion të interesave private për përfitime dhe provizione. Ky është përpjekje për të justifikuar diçka që nuk ka asnjë lidhje me agjendën evropiane, por me apetitet për tenderë”, përfundoi Kuzeska.



