
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Sot jemi këtu për të përcjellë shqetësimin serioz të qytetarëve lidhur me fatin e Bulevardit “Hasan Prishtina” – Rruga e Kaçanikut, në Vizbeg, dhe me 6 milionë eurot e siguruara për realizimin e këtij projekti.
Ky nuk është projekt i ri dhe as premtim elektoral.
Në vitin 2023, Ministria e Transportit dhe Qyteti i Shkupit formuan komision të përbashkët për hartimin e planit urbanistik. Plani u përgatit, u dakordua dhe u miratua.
Parashihej ndërtimi dhe zgjerimi i Bulevardit “Hasan Prishtina”, si një aks i rëndësishëm për lidhjen e Shkupit me Bllacën dhe Kosovën.
Gjatë qeverisjes BDI–LSDM, për këtë projekt u siguruan 6 milionë euro mjete të dedikuara.
Pra, projekti ishte planifikuar, plani ishte miratuar dhe paratë ishin siguruar.
Por sot, Qeveria VMRO-DPMNE–VLEN i ka ridestinuar këto 6 milionë euro për një projekt tjetër – rrugën nëntokësore në Bulevardin Jugor.
Dhe kjo ndodh në të njëjtën kohë kur Qeveria organizon ceremoni për vazhdimin e autostradës Shkup–Bllacë.
Prandaj pyetja është e thjeshtë:
Çfarë kuptimi ka autostrada drejt Bllacës, nëse rruga që duhet ta lidhë atë me Shkupin mbetet në gjendjen aktuale, me ngushtica, kolona dhe kaos të përditshëm?
Nuk mund të ndërtohet autostrada drejt Bllacës dhe, në të njëjtën kohë, të hiqen paratë nga rruga që duhet ta lidhë atë me Shkupin.
Prandaj BDI pyet publikisht:
Pse po sakrifikohet Bulevardi “Hasan Prishtina”?
Dhe pyet edhe VLEN-in:
A do të heshtë kur hiqen 6 milionë euro nga një projekt që prek drejtpërdrejt mijëra qytetarë?
Qytetarët nuk kanë nevojë për ceremoni dhe fotografi.
Kanë nevojë për rrugë.
Kanë nevojë për zgjidhje.
Prandaj kërkesa jonë është e qartë:
KTHEJINI 6 MILIONË EUROT E VIZBEGUT!
Rikthejini mjetet për Bulevardin “Hasan Prishtina”.
Zgjerojeni Rrugën e Kaçanikut dhe bëjeni lidhjen Shkup–Bllacë funksionale.
Vizbegu nuk është qytetar i dorës së dytë.
BDI nuk do të heshtë.
Do të kërkojmë përgjigje konkrete:
Pse u morën 6 milionë eurot?
Dhe kur fillojnë punimet për Bulevardin “Hasan Prishtina”?
Vetëm një qeveri e papërgjegjshme mund të lejojë që një projekt, për të cilin janë siguruar paratë dhe është përgatitur dokumentacioni, të mos realizohet vetëm për tekat e saj politike.




