
Prodhuesi gjerman i automjeteve Volkswagen po shqyrton hyrjen në industrinë e mbrojtjes përmes një marrëveshjeje të mundshme me kompaninë izraelite Rafael Advanced Defense Systems, transmeton Anadolu.
E përditshmja BILD raportoi se një marrëveshje që përfshin fabrikën e VW-së në qytetin veriperëndimor Osnabrueck mund të jetë e afërt.
Sipas Bloomberg, plani do të përfshinte prodhimin e komponentëve për sistemin e mbrojtjes ajrore Iron Dome në fabrikën në Saksoninë e Poshtme, përfshirë kamionë, lëshues dhe gjeneratorë elektrikë.
Fabrika në Osnabrueck ka qenë një çështje kryesore për menaxhmentin e VW-së, ndërsa prodhuesi i automjeteve po ristrukturon operacionet në kuadër të një programi për uljen e kostove.
T-Roc Cabrio vazhdon të prodhohet në këtë fabrikë, por prodhuesi më i madh i automjeteve në Evropë vendosi në fund të vitit 2024 që ta ndërpresë gradualisht prodhimin atje vitin e ardhshëm.
E ardhmja e fabrikës, e cila punëson rreth 2.300 persona, mbetet e pasigurt pas përfundimit të prodhimit. Mundësia e prodhimit të komponentëve të mbrojtjes për Rafael në këtë fabrikë raportohet se është diskutuar prej muajsh.
– Aksionari i madh, Katari, raportohet se kundërshton planet
Megjithatë, sipas Bloomberg, Katari, aksionar i madh në VW-së, ka ngritur kundërshtime ndaj një partneriteti me një kompani izraelite.
Raporti tha se një zgjidhje e mundshme mund të përfshijë marrjen nën kontroll nga Saksonia e Poshtme të pjesëve të fabrikës në Osnabrueck dhe më pas krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët me Rafael.
Ende nuk është marrë asnjë vendim.
“Aktualisht po shqyrtojmë nëse dhe në çfarë forme mund të merret në konsideratë një pjesëmarrje në një zgjidhje të mundshme industriale në të ardhmen për fabrikën në Osnabrueck”, tha kryeministri i Saksonisë së Poshtme, Olaf Lies.
Mbledhja e ardhshme e bordit mbikëqyrës të VW-së është planifikuar për më 4 shtator, kur potencialisht mund të merret një vendim.
E përditshmja Hannoversche Allgemeine Zeitung raportoi se Saksonia e Poshtme mund të investojë të paktën 200 milionë euro në projekt.
“Strukturat konkrete të një pjesëmarrjeje të tillë aktualisht janë ende objekt i shqyrtimeve dhe diskutimeve në vazhdim”, tha një zëdhënës i kryeministrit.
“Si rrjedhojë, në këtë moment nuk mund të spekulojmë as për një shumë konkrete të pjesëmarrjes dhe as për një model të caktuar investimi”, shtoi ai.
Transmetuesi publik NDR raportoi që në mars se VW kishte zhvilluar gjithashtu bisedime me kompani të tjera, përfshirë kontraktorin gjermano-francez të mbrojtjes KNDS.



