LajmeMaqedoniTopLajm

Fluks i shtuar në pediatrinë e Tetovës: 139 fëmijë u trajtuan brenda 48 orëve

Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë sjellë një numër të madh pacientësh të vegjël në Repartin e Pediatrisë të Spitalit Klinik të Tetovës.

Sipas të dhënave të repartit, gjatë 48 orëve të fundit janë paraqitur gjithsej 139 fëmijë. Prej tyre, 12 janë mbajtur në spital për hospitalizim, ndërsa pjesa tjetër është larguar për trajtim në kushte shtëpie.

“Në spitalin klinik të Tetovës, gjegjësisht në repartin e pediatrisë, kemi pasur 139 raste në 48 orët e fundit. Nga të cilët 12 fëmijë janë hospitalizuar, ndërsa të tjerët janë lëshuar me terapi shtëpiake”, bëjnë të ditur nga Reparti i Pediatrisë – Tetovë.

Temperatura e lartë, të vjellat dhe diarreja janë shqetësimet kryesore me të cilat fëmijët janë paraqitur te mjeku. Specialisti i pediatrisë, dr. Isa Osmani, thotë se bëhet fjalë kryesisht për viroza sezonale të verës, të ndikuara nga kushtet mjedisore dhe higjiena.

“Në këtë grupmoshë, në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me viroza sezonale. Temperaturat e larta, mënyra e përgatitjes së ushqimit, përdorimi i qumështit artificial, që kërkon higjienë shumë të madhe gjatë përgatitjes, si dhe kontakti i fëmijëve të sëmurë me ata të shëndetshëm, janë faktorë që ndikojnë. Këto viroza janë ngjitëse dhe shoqërohen me simptoma të caktuara. Megjithatë, pas çdo rasti të barkqitjes apo të vjelljes nuk është e nevojshme të shkohet menjëherë në spital. Nëna duhet të ketë elektrolite dhe të përdorë mënyra të ndryshme ushqyerjeje, me qëllim që të shmanget dehidrimi. Por nënat tona shpesh shqetësohen se fëmija mund të dehidratohet”, deklaroi pediatri Isa Osmani.

Apeli i mjekëve për prindërit është që t’i kushtojnë vëmendje higjienës gjatë përgatitjes së ushqimit, të sigurojnë hidratim të mjaftueshëm dhe të kufizojnë kontaktet e fëmijëve me persona të prekur, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e virozave.

Related Articles

Back to top button
Close
Close