LajmeMaqedoni

Zjarri në spitalin modular: Familjarët të zhgënjyer nga drejtësia, Prokuroria e mbylli një hetim kurse tjetrin po e zvarrit pa dhënë detaje

Pesë vjet pas tragjedisë që mori jetën e 14 personave në Spitalin Modular të Tetovës, drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigje për përgjegjësinë lidhur me shkaqet e zjarrit. Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit javën e kaluar e mbylli hetimin për prokurimin dhe ndërtimin e 19 spitaleve modulare, pa gjetur përgjegjësi penale, ndërsa një hetim tjetër për rastin, i nisur në vitin 2023, ende nuk ka përfunduar. Ndërkohë, dy ish-drejtorë të Spitalit të Tetovës janë dënuar për mosvendosjen e pajisjeve kundër zjarrit, por jo për shkaktimin e zjarrit. Familjarët e viktimave thonë se pas pesë vitesh pritje janë të zhgënjyer dhe ndihen të braktisur nga drejtësia.

Familjarë të zhgënjyer

Ibin Emshi i cili humbi babain dhe vëllaun e tij në tragjedinë e spitalit, i tha Portalbit se pas pesë viteve kishin ende shpresë se do të ketë drejtësi, por pas vendimit të fundit të prokurorisë ndihen të zhgënjyer.

“Kishim shpresë ende që prokuroria të sjell epilog, por e vendosi qershinë mbi tortë prokurori Islam Abazi, njëjtë si Krenar Lloga që e shpëtoi Mijallkovin. Kjo klasë politike e han turpin me bukë, vetëm premtime aspak vepra”, the Emshi.

Pas pesë vitesh heshtje u mbyll rasti në të cilin ishin të përfshirë Venko Filipçe dhe Koço Angjushev

Pas pesë vitesh në procedurë parahetimore Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit javën a kaluar e mbylli dosjen “Spitali Modular” dhe nuk gjeti fajtorë për një nga tragjeditë më të mëdha kombëtare. Kjo lëndë u hap dy ditë më vonë pasi ndodhi tragjedia.

Asnjë nga zyrtarët shtetërorë përgjegjës dhe individët e përfshirë nga komuniteti i biznesit nuk do të mbahen përgjegjës për vdekjen e 14 viktimave në zjarrin në spitalin modular në Tetovë.

Vendimi u njoftua nga prokurorja që e udhëhoqi rastin, Verica Berzhecka Krsteva, e shoqëruar nga shefi i saj nga Prokuroria për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi.

Prokurorja shpjegoi se hetimi paraprak kishte qenë i orientuar vetëm drejt keqpërdorimeve të mundshme financiare dhe keqpërdorimeve të pozitës zyrtare gjatë furnizimit të 19 spitaleve modulare që u përdorën për hospitalizimin e pacientëve me COVID.

Ajo nuk ka gjetur asnjë paligjshmëri që nga fillimi i shpalljes së tenderëve për prokurimin e spitaleve modulare, e deri te mënyra e realizimit, vendosjes dhe dorëzimit në posedim të komunave.

Tre vjet hetim tjetër, zero epilog 

Pavarësisht se kanë kaluar gati tre vite që kur Prokuroria Publike e RMV-së në gusht 2023 njoftoi se po zhvillohet hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ende nuk ka vendim dhe nuk është ngritur aktakuzë.

Nga Prokuroria Publike nuk tregojnë se në çfarë faze është ky rast dhe kur pritet të ketë vendim, ndërsa vazhdimisht janë arsyetuar se rasti po hetohet.

Dy procese gjyqësore, jo për shkaqet e zjarrit

Kujtojmë që në maj 2025 Gjykata e Tetovës e shpalli vendimin e rigjykimit për këtë rast i cili nuk ishte për shkaqet e zjarrit, ku me 1 vit e 6 muaj burg u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe ish drejtoi ekonomik Artan Etemi, ndërsa Spitali i Tetovës me 1 milion denarë.

Për dallim prej akgjykimit të parë kur dënimi po ashtu ishte me 1 vit e 6 muaj burg me kusht, kësaj here dënimi është pa kusht. 

Të akuzuarit nuk u akuzuan për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit. Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.

Besimi dhe Etemi u shpallën fajtorë për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. 

Rasti ishte në rigjykim pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ktheu një pjesë të lëndës në Gjykatën Themelore në Tetovë. 

Pas vendimit të gjykimit të dytë, të akuzuarit u ankuan, por Gjykata e Apelit në Gostivar nuk i ka pranuar ankesat e drejtorëve të Spitalit të Tetovës të cilët u dënuan me nga 1 vit e gjysmë burg për gjykimin e zjarrit në spitalin modular. Në vend të kësaj, Gjykata e Apelit ua ka rritur dënimet në tre vjet burg, kështu duke pranuar ankesën e Prokurorisë dhe familjarëve të viktimave. Edhe Spitalit të Tetovës iu rrit dënimi për 300 mijë denarë.

Pse erdhi deri te rigjykimi?

Pas gjykimit të parë në Gjykatën e Tetovës i cili përfundoi në qershor 2023, ku në bankën e të akuzuarve ishin ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit dhe Spitali i Tetovës, Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 vendosi që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.

Prokuroria kërkoi që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra, ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun Boban Vuçevski të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.

Në rigjykim u kthye një pjesë e lëndës kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.

Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim patën theksuar se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.

“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhej në atkgjykimin e Apelit.

Dokumentari i IRL-së, nxori në pah “të palarat”

Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregoi një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri te shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese. Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.

Çfarë ndodhi?

Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.

Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close