
Përsëri u përdor karta e favorshme e politikës: radikalizmi islamik. Është bërë pothuajse një praktikë e përsëritur që, sa herë qeveritë përballen me mungesë rezultatesh, me krizë politike apo me një qorr-sokak në qeverisje, të rikthehet në diskursin publik tema e radikalizmit islamik. Qeveritë ndërrohen, retorika politike ndryshon, por mekanizmi duket i njëjtë: në vend që të jepen llogari për rezultatet, përgjegjësia zhvendoset drejt një teme që ngjall frikë, ndjeshmëri dhe reagim emocional në shoqëri. Kjo është parë edhe në periudha të mëparshme të qeverisjes në Kosovë, ndërsa sot diskursi i njëjtë shfaqet në forma të tjera. Rasti i Fatmir Shehollit, pavarësisht se çfarë do të rezultojë nga hetimet apo procedurat institucionale, nuk duhet të shndërrohet në justifikim për përgjithësime të pamatura mbi fenë, besimtarët apo komunitete të tëra. Luftimi i ekstremizmit dhe radikalizmit është detyrë legjitime e shtetit; instrumentalizimi politik i kësaj teme është çështje krejt tjetër. Edhe më shqetësuese bëhet situata kur kjo temë përdoret për të krijuar narrativën se problemet e Kosovës, madje edhe zbrazja demografike e vendit, mund të shpjegohen përmes radikalizmit islamik. Një qasje e tillë rrezikon të fshehë pyetjet shumë më të rëndësishme: Çfarë politikash ekonomike janë ndjekur? Çfarë perspektive i është ofruar rinisë? Sa vende pune janë krijuar? Sa është forcuar shteti ligjor? Sa janë përmirësuar arsimi, shëndetësia dhe mirëqenia sociale? Dhe mbi të gjitha, çfarë përgjegjësie mbajnë qeveritë për politikat e tyre dhe për mungesën e rezultateve? Një shoqëri demokratike nuk mund të qeveriset përmes frikës dhe akuzave të pabazuara. Nëse ekzistojnë raste të radikalizmit apo të ekstremizmit, ato duhet të trajtohen me ligj, prova dhe institucione profesionale. Por një shtet serioz nuk mund të ndërtojë politika mbi insinuata, përgjithësime apo etiketime kolektive. Është po aq e nevojshme të kërkohet përgjegjësi edhe nga përfaqësuesit politikë të komuniteteve fetare. Fakti që në Kosovë, sipas deklarimeve të institucioneve fetare, pas luftës janë ndërtuar qindra xhami, nuk mund të shërbejë as si argument për radikalizim dhe as si arsye për stigmatizim. Përkundrazi, pyetja e drejtë demokratike është: sa kanë qenë të aftë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të këtyre komuniteteve të kontribuojnë në mënyrë aktive në forcimin e shtetit, arsimit, tolerancës dhe përgjegjësisë qytetare? Në këtë kuptim, edhe votimet parlamentare dhe qëndrimet e deputetëve, qoftë të pozitës apo të opozitës, duhen parë përmes parimit të përgjegjësisë individuale politike. Në një demokraci, askush nuk mund të fshihet pas identitetit fetar, partiak apo grupor. Deputeti duhet të përgjigjet për votën e tij, ashtu siç duhet të përgjigjet qeveria për politikat e saj. Prandaj, krijimi i një narrative mbi “radikalizmin islamik” dhe më pas shndërrimi i saj në instrument propagandistik duhet të trajtohet me shumë kujdes. Radikalizmi nuk duhet të mohohet kur ekziston, por as të prodhohet politikisht aty ku mungojnë provat. Të dyja ekstremet janë të rrezikshme: mohimi i një rreziku real dhe ekzagjerimi i tij për përfitime politike. Kosova ka zgjedhur demokracinë. Demokracia, megjithatë, nuk nënkupton vetëm të drejtën për të fituar zgjedhjet; ajo nënkupton edhe përgjegjësinë për mënyrën se si ushtrohet pushteti pas zgjedhjeve. Legjitimiteti elektoral nuk është çek i bardhë. Ai është një mandat publik që kërkon transparencë, llogaridhënie, vendimmarrje të ligjshme dhe institucione të forta. Qeveritë nuk duhet të kërkojnë gjithmonë një fajtor jashtë vetes. Ato duhet të jenë të gatshme të shpjegojnë pse politikat e tyre kanë prodhuar apo nuk kanë prodhuar rezultate. Papunësia, emigrimi, mungesa e perspektivës, dobësia institucionale, korrupsioni dhe stagnimi ekonomik nuk mund të mbulohen pafundësisht me narrativa politike. Shteti i së drejtës kërkon prova, jo insinuata; përgjegjësi, jo arsyetime; institucione, jo propagandë. Në fund të fundit, një qeveri e fortë nuk është ajo që gjen më shumë armiq për t’i paraqitur para publikut, por ajo që ndërton institucione aq të forta sa qytetari të mos ketë nevojë të frikësohet nga pushteti. Në një demokraci të pjekur, politika duhet të matet me rezultate dhe jo me aftësinë për të krijuar frikë, ndarje apo narrativa që largojnë vëmendjen nga përgjegjësia e saj themelore. Sepse kur mungojnë rezultatet, tundimi për të prodhuar armiq është i madh. Por demokracia kërkon diçka më të vështirë: të prodhosh rezultate. Tek e fundit, një Kosovë me radikalizëm islam nuk e voton Dimal Bashën për Kryetar Parlamenti, i cili ishte vetdeklaruar si i pafe dhe ateist!!



