
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti janë të gatshëm për procesin e zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës, transmeton IndeksOnline.
“Lëvizja Vetëvendosje është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat për president i kemi, por nuk mund t’i ndaj këtu me ju, sepse pastaj procesi i negociimit do ta humbte kuptimin”, tha Konjufca.
Ai shtoi se pret që edhe LDK-ja së shpejti të jetë e gatshme për bisedime, duke përmendur deklaratën e kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, se gjatë kësaj jave pritet të zhvillohet një takim.
Sipas Konjufcës, Kurti ende nuk ka marrë një ftesë apo njoftim konkret lidhur me ditën kur mund të zhvillohet takimi.
“Ne jemi në pritje që kjo të ndodhë. Kur të ndodhë, mendoj se do të jemi shumë afër marrëveshjes për presidentin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Konjufca./IndeksOnline/



