LajmeMaqedoni

Mbyllen 26 shkolla rurale me numër të vogël nxënësish, ministrja Janevska: Nuk ka logjikë t’i mbajmë fëmijët të izoluar

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, njoftoi se gjatë vitit shkollor pritet të mbyllen 26 shkolla rurale në vend, kryesisht për shkak të numrit shumë të ulët të nxënësve.

 

Sipas Janevskës, në disa prej këtyre shkollave janë të regjistruar vetëm 5 deri në 8 nxënës, ndërsa në disa raste nuk ka fare nxënës të regjistruar në klasën e parë. Ajo theksoi se numri i nxënësve të regjistruar në klasë të parë këtë vit është rreth 14.500, por kjo shifër ende nuk është përfundimtare.

 

Ministrja tha se ulja e numrit të nxënësve ka sjellë edhe rënie të numrit të paraleleve, me rreth 200 paralele më pak në arsimin fillor dhe rreth 100 më pak në arsimin e mesëm.

Sipas saj, qëllimi i mbylljes së shkollave me shumë pak nxënës është përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe mundësimi i socializimit të fëmijëve. Në disa shkolla rurale, nxënës nga disa klasa zhvillojnë mësimin së bashku, gjë që, sipas ministres, ndikon në cilësinë e procesit arsimor.

 

“Nëse kemi një shkollë qendrore ku mësojnë 200 fëmijë, ndërsa 2,5 kilometra më larg kemi një shkollë ku mësojnë 18 fëmijë, nuk ka logjikë t’i mbajmë fëmijët të izoluar në atë shkollë”, deklaroi Janevska.

Megjithatë, ministrja sqaroi se shkollat nuk do të mbyllen në rastet kur shkolla më e afërt është 15–20 kilometra larg, ose kur rrugët janë të papërshtatshme dhe të pasigurta për fëmijët.

Related Articles

Back to top button
Close
Close