
Pesë raste me vdekje dhe gjithsej 43 raste të konfirmuara me ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoni. Ky është bilanci i zi deri tani nga epidemia, e cila prej një periudhe tashmë ka përfshirë disa komuna të Shkupit, Kisella Vodën, Aerodromin, Gazi Babën, Butelin, Ilindenin, si dhe vendbanimet Draçevë, Przhinë, Jurumleri dhe Kadino. Piku pritet të arrijë në fund të gushtit, ndërsa ndërkohë gjendja në terren ka ndezur alarmin e kuq.
Pavarësisht se autoritetet shëndetësore informojnë çdo ditë në konferenca për bilancin e të prekurve, e qetësojnë situatën alarmante dhe përgjegjësinë ia kalojnë njëri-tjetrit, megjithatë epidemia pritej të ndodhte, duke pasur parasysh sfondin dhe mënyrën se si prej vitesh zhvillohet spërkatja kundër mushkonjave, bartëse të sëmundjes infektive.
Ethet e Nilit Perëndimor janë sëmundje virale që transmetohet përmes pickimit të një mushkonje të infektuar. Për herë të parë në Maqedoni u shfaq në vitin e largët 2011, ndërsa mushkonja tigër në vend u shfaq në vitin 2016. Për të gjitha këto 14 vite, deri në fund të vitit 2025, janë konfirmuar gjithsej 54 raste laboratorike, ndërsa janë regjistruar edhe pesë raste me vdekje nga sëmundja.
E gjithë kjo për më shumë se një dekadë, ndërsa tani, vetëm për dy muaj, numri ka arritur në mbi 35 të prekur dhe disa raste me vdekje, ndërsa më e frikshmja është se pritet të rritet edhe më tej deri në fund të muajit.
Megjithatë, ajo që është alarmante është se një pjesë e të prekurve, madje edhe të vdekurve, nuk kanë udhëtuar fare jashtë vendit, por sëmundjen infektive e kanë marrë në Maqedoni. „Fokus“ për këtë temë bisedoi me epidemiologun, doktor Dragan Danilovskin, i cili shpjegoi në detaje se çfarë nënkupton kjo epidemi me ethet e Nilit Perëndimor dhe kur pritet piku më i madh.
Cila është arsyeja kryesore që situata me ethet e Nilit Perëndimor është përshkallëzuar kaq shumë?
Danilovski: Përshkallëzimi i etheve të Nilit Perëndimor është rezultat i veprimit të njëkohshëm të disa faktorëve: kushtet klimatike, numri dhe aktiviteti i mushkonjave, qarkullimi i virusit ndërmjet shpendëve dhe mushkonjave, ekspozimi i popullsisë, si dhe kohëzgjatja dhe efikasiteti i mbikëqyrjes dhe masave parandaluese.
Në situatën aktuale, është e rëndësishme të përcaktohet se cilët prej këtyre faktorëve kanë pasur ndikimin më të madh këtë vit dhe, veçanërisht, cilët prej tyre mund të kontrolloheshin. Kushtet natyrore dhe klimatike nuk mund t’i kontrollojmë, por mund t’i monitorojmë. Cilësia e sistemit të shëndetit publik shihet pikërisht në atë se sa herët e njeh rrezikun e shtuar dhe çfarë masash ndërmerr mbi bazën e këtyre informacioneve.
Prandaj, na nevojiten të dhëna nëse në kohë është monitoruar numri dhe infektueshmëria e vektorëve, në këtë rast mushkonjave, qarkullimi i virusit te shpendët dhe kafshët e tjera, si dhe kur kanë filluar masat për kontrollin e mushkonjave në raport me shfaqjen e rasteve të para te njerëzit.
Është shqetësuese që të prekurit, madje edhe personat që kanë vdekur, nuk kanë ardhur të gjithë nga jashtë dhe nuk e kanë marrë virusin atje, por mushkonja tigër ka edhe në Maqedoni?
Danilovski: Te ne tashmë është konstatuar transmetim autokton, përkatësisht lokal, i virusit të Nilit Perëndimor. Kjo do të thotë se një pjesë e njerëzve e kanë marrë infeksionin në Maqedoni dhe jo jashtë vendit.
Në ciklin natyror të virusit, rol kryesor kanë shpendët dhe mushkonjat. Në Evropë, bartësit kryesorë janë mushkonjat e gjinisë Culex, veçanërisht Culex pipiens dhe Culex modestus. Mushkonja tigër, Aedes albopictus, gjithashtu mund të jetë vektor kompetent, por roli i saj në transmetimin natyror të virusit të Nilit Perëndimor në Evropë është dukshëm më i vogël.
Nga aspekti i shëndetit publik, tani është më e rëndësishme të dimë se sa intensivisht qarkullon virusi në ekosistemin lokal „shpend–mushkonjë–shpend“ dhe sa është rreziku që infeksioni nga ky cikël natyror të transmetohet te njerëzit.
Kush do të mbajë përgjegjësi për faktin që erdhi deri te epidemia? Është e frikshme që në shekullin XXI po kthehemi prapa dhe po ndodhin gjëra të tilla.
Danilovski: Ethet e Nilit Perëndimor sot përbëjnë problem aktual të shëndetit publik në disa vende evropiane. Transmetimi lokal dhe epidemitë regjistrohen edhe në Evropën moderne. Prandaj, situata aktuale te ne duhet të analizohet në bazë të mënyrës se si kanë funksionuar mekanizmat e parandalimit, mbikëqyrjes dhe kontrollit.
Çështja e përgjegjësisë është plotësisht legjitime. Përgjegjësia përcaktohet në bazë të asaj nëse është bërë ajo që mund dhe duhej të bëhej për të parandaluar epideminë ose për të kufizuar pasojat e saj.
Për një vlerësim të tillë duhet të dimë nëse ka ekzistuar një mbikëqyrje funksionale entomologjike dhe epidemiologjike, nëse sinjalet për rritjen e rrezikut janë identifikuar me kohë, nëse ka ekzistuar një plan i përgatitur paraprakisht, kur dhe si janë zbatuar masat për kontrollin e vektorëve dhe nëse sistemi shëndetësor ka qenë i përgatitur në kohë për zbulimin dhe trajtimin e rasteve.
Mbi bazën e këtyre fakteve do të mund të përcaktohej në mënyrë të argumentuar nëse ekziston përgjegjësi institucionale, për cilat mangësi konkrete dhe në cilin nivel.
A do të ketë pikun në periudhën e ardhshme?
Kjo nuk mund të parashikohet me saktësi paraprakisht. Jemi në periudhën e vitit kur rreziku është i lartë. Pjesa më e madhe e infeksioneve me virusin e Nilit Perëndimor në Evropë regjistrohen gjatë muajve të verës dhe në fillim të vjeshtës.
Prandaj, në këtë moment nuk mund të themi nëse situata aktuale te ne tashmë përfaqëson pikun apo nëse ai ende pritet. Kulmin e një epidemie mund ta identifikojmë me siguri më të madhe në mënyrë retrospektive, kur të shohim se numri i rasteve të reja ka filluar të ulet në mënyrë të vazhdueshme.
Në këtë moment nuk kemi bazë për t’i dërguar publikut mesazhin se rreziku po kalon! Ende jemi në sezonin e transmetimit aktiv dhe pikërisht për këtë arsye masat duhet të jenë maksimalisht intensive.
A ka kontrolluar dikush te ne nëse sa mushkonja ka dhe sa prej tyre janë bartëse të virusit?
Kjo është një nga pyetjet kyçe. Mbikëqyrja moderne nënkupton shumë më tepër sesa vetëm përcaktimin nëse ka apo nuk ka mushkonja. Është e nevojshme që në mënyrë sistematike të monitorohen llojet e tyre, dendësia, dinamika sezonale dhe prania e virusit në mostrat e mbledhura. Njëkohësisht, qasja e integruar e nevojshme „One Health“ nënkupton monitorimin e qarkullimit të virusit edhe te shpendët dhe kuajt.
Aktualisht, nuk disponoj me të dhëna të qasshme publikisht nga të cilat do të mund të konkludoja se sa sistematikisht dhe me çfarë përfshirjeje është kryer një mbikëqyrje e tillë në Maqedoni para shfaqjes së valës së tanishme të rasteve te njerëzit. Pikërisht këto të dhëna do të doja t’i shihnim.
Është e rëndësishme të theksohet kjo:
Mbikëqyrja praktikisht do ta humbiste funksionin e saj më të rëndësishëm – paralajmërimin e hershëm – nëse sinjali i parë se virusi po qarkullon intensivisht do të bëheshin (vetëm) njerëzit e sëmurë rëndë!
Çfarë mendoni, deri ku do të shkojë situata?
Në këtë moment nuk mund të parashikohet me përgjegjësi numri përfundimtar i të prekurve. Dinamika e mëtejshme do të varet nga kushtet atmosferike, numri dhe infektueshmëria e mushkonjave, intensiteti i qarkullimit të virusit ndërmjet shpendëve, ekspozimi i popullsisë dhe efekti i masave që po ndërmerren.
Ndërkohë, është e rëndësishme të theksohet se numri i rasteve të konfirmuara laboratorikisht nuk e tregon përhapjen e përgjithshme të infeksionit! Rreth 80 për qind e infeksioneve kalojnë pa simptoma, 20 për qind kalojnë me simptoma të lehta, ndërsa vetëm një pjesë shumë e vogël, më pak se një për qind e të infektuarve, zhvillojnë sëmundje të rëndë neuroinvazive. Prandaj, rastet e regjistruara janë vetëm pjesa e dukshme e një qarkullimi shumë më të gjerë të virusit.
Në këtë fazë, më e rëndësishmja është ta zvogëlojmë maksimalisht transmetimin, përderisa sezoni ende vazhdon. Çdo ulje e numrit të infeksioneve të reja nënkupton edhe ulje të mundësisë për shfaqjen e formave të reja neuroinvazive, pacientëve të rinj në kujdes intensiv dhe rasteve të reja me vdekje.



