LajmeMaqedoniTopLajm

Çmimet e ushqimeve pritet të rriten sërish në Maqedoni: Dy valë shtrenjtimesh deri në maj 2027

Globalisht, çmimet e ushqimeve po rriten sërish për shkak të thatësirave dhe problemeve me transportin përmes Detit të Zi, gjë që gjatë vjeshtës mund t’i japë fund periudhës së stabilizimit të çmimeve në Maqedoni. Sipas analizës më të fundit të “Oxford Economics”, çmimet globale të ushqimeve do të rriten me 11,8 për qind në vitin 2026, ndërsa presioni më i madh pritet te drithërat, perimet e freskëta dhe produktet e qumështit.
Indeksi i çmimeve të ushqimeve i FAO-s në korrik shënoi rritje mujore prej 0,6 për qind, por shqetësimi kryesor vjen nga drithërat, indeksi i të cilave u rrit me 3,4 për qind vetëm brenda një muaji. Çmimi botëror i grurit u rrit me 5,8 për qind, ndërsa analistët presin që në tremujorin e tretë të jetë rreth 36 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Arsyet kryesore për valën e re të rritjes së çmimeve janë valët e të nxehtit, të cilat kanë ulur rendimentet te prodhuesit e mëdhenj, rritja e çmimeve të plehrave dhe karburanteve, si dhe ndërprerjet e përsëritura të eksporteve detare. Shoqata evropiane “Coceral” e ka ulur parashikimin për prodhimin e drithërave në BE dhe Britaninë e Madhe në 286,6 milionë tonë, që është një rënie e konsiderueshme krahasuar me 310 milionë tonët e vitit të kaluar.

Ndryshe nga vendet e zhvilluara evropiane, çdo rritje e çmimeve të produkteve bazë ushqimore në Maqedoni ka ndikim të drejtpërdrejtë dhe të fortë në standardin e jetesës. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se shpenzimet për ushqime dhe pije përbëjnë 50,1 për qind të buxhetit total familjar.

Presion shtesë mbi tregun krijojnë edhe kostot e rritura të prodhimit në bujqësinë vendase. Në korrik, kostot për materialet dhe inputet bujqësore te fermerët maqedonas ishin 4,1 për qind më të larta, ndërsa çmimet e blerjes së produkteve bujqësore ranë me 5,5 për qind. Kjo u lë fermerëve shumë pak hapësirë për të përballuar vetë rritjet e ardhshme të çmimeve të karburanteve dhe energjisë.

Maqedonia ka një mbrojtje të caktuar sa i përket grurit, falë korrjes rekord të vitit të kaluar prej më shumë se 300.000 tonësh, e cila, sipas Ministrisë së Bujqësisë, mbulon nevojat e brendshme. Megjithatë, industria ushqimore dhe mullinjtë janë drejtpërdrejt të varur nga kostot e energjisë elektrike, lëndëve të para të importuara, ambalazhit dhe transportit, ndaj izolimi i plotë nga tregjet globale nuk është i mundur.

Efekti i tregjeve globale nuk do të reflektohet menjëherë, por në dy valë të veçanta:

Tetor – nëntor 2026: vala e parë e rritjes së çmimeve do të prekë frutat dhe perimet e freskëta, pasi nevojiten dy deri në tre muaj nga goditja në tregjet e bursave deri te reflektimi i saj në raftet e dyqaneve.
Shkurt – maj 2027: vala e dytë do të prekë produktet e përpunuara, bukën, makaronat dhe produktet e qumështit, pasi të shterojnë rezervat ekzistuese dhe të skadojnë kontratat aktuale të furnizimit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close