
Më shumë se 15 zjarre në ambiente të hapura janë aktive në vend, prej të cilave katër janë më serioze, informoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov. Angellov thotë se zjarri më i madh vazhdon të jetë ai në rajonin e Mariovës, në territorin e komunave Prilep dhe Manastir, i cili sot është vendosur nën kontroll të pjesshëm.
Sipas Angellovit, krahu i zjarrit që lëviz mbi fshatin Krushevicë është zvogëluar ndjeshëm, megjithëse pritet që gjatë orëve të mbrëmjes t’i afrohet fshatit. Megjithatë, ai shton se rreth fshatit janë hapur breza të posaçëm kundër zjarrit, të cilët zjarri nuk duhet t’i kalojë. Siç informon Angellov, aty ndodhen edhe njerëzit që do të luftojnë me zjarrin nëse ai zbret më poshtë drejt fshatit.
Ai shton se aty ndodhen forca nga zjarrfikësit lokalë, të mbështetur nga ekipet e reagimit të shpejtë të DMSH-së, të përbëra nga vullnetarë nga Manastiri, Koçani dhe Vinica. Gjithashtu, janë vendosur edhe katër ekipe me automjete speciale.
Bëhet fjalë për një vijë zjarri prej ndoshta një deri në dy kilometra, në dallim nga më shumë se 25 kilometrat e mëparshëm.
Nga ana tjetër, duke parë në drejtim të rrugës magjistrale Prilep–Manastir, Angellov thotë se gjendja është dukshëm më e mirë.
„Gjatë natës, zjarrfikësit nga Prilepi, të mbështetur nga zjarrfikës vullnetarë të angazhuar përmes Drejtorisë nga Manastiri, sulmuan vijën e zjarrit dhe, për habinë time të madhe, arritën të shuajnë disa kilometra të vijës së zjarrit lart në male, duke rrezikuar mjaft, pasi terreni është jashtëzakonisht i vështirë. Për momentin kemi atje vetëm një krah aktiv që lëviz drejt fshatit Bonçe, por fshati nuk është i rrezikuar, pasi kemi përqendruar forca të mjaftueshme“, thotë Angellov.
Një zjarr tjetër që vazhdon prej disa ditësh është në territorin e Komunës së Makedonski Brodit, mbi fshatin Dragov Doll.
Angellov thotë se dje e riaktivizoi modulin e Drejtorisë për zjarret në pyje, i përbërë nga 25 zjarrfikës vullnetarë nga vende të ndryshme të shtetit, së bashku me pesë pjesëtarë të Drejtorisë.
„Moduli gjatë gjithë ditës punon në terren si mbështetje për zjarrfikësit profesionistë nga Makedonski Brodi. Edhe ky zjarr është zvogëluar ndjeshëm, por terreni është jashtëzakonisht i vështirë. Në disa vende nuk mund të shkohet as në këmbë, ndërsa nuk ka efekt as ndërhyrja nga ajri“, shton Angellov.
Zjarri i tretë është ai që prej disa ditësh është aktiv në territorin e Komunës së Studeniçanit dhe, siç informon Angellov, po përhapet drejt Kitkës.
Pas vëzhgimit me helikopter në mëngjes, është konstatuar se nga ky zjarr kanë mbetur vetëm gjurmë të djegies në një luginë.
„Prandaj dhashë urdhër që të veprojnë tre ‘er traktorët’, të cilët në dy fluturime hodhën rreth 20 tonë ujë. Ekziston mundësia që ky zjarr të shuhet plotësisht, por edhe nëse tregon aktivitet, ai do të jetë i kufizuar vetëm në një pikë dhe më tej do të planifikojmë se si të veprojmë“, thotë Angellov.
Në këtë pikë, siç sqaroi Angellov, nuk mund të ndërhyhet as me automjetet speciale të Drejtorisë dhe as me këmbësori, sepse ndodhet në një luginë me qasje shumë të vështirë, ndërsa në pjesën më të madhe është plotësisht e paarritshme.
Sot, siç thotë Angellov, është ende aktiv edhe zjarri që dje rreth mesditës shpërtheu në territorin e Komunës së Likovës, mbi fshatin Nikushtak. Tani ai po lëviz në drejtim të zonës mbi fshatin Mateç dhe drejt manastirit mbi fshatin Mateç.
Në këtë zjarr veprojnë katër automjete „Pinzgauer“ të DMSH-së, të cilat janë vendosur në ato pjesë ku terreni e lejon dhe po shuajnë vijën e jashtme të zjarrit.
Angellov thotë se në lokacion ndodhet edhe një „BTR“ i Drejtorisë, i cili ka një rezervuar të mbushur me gjashtë tonë ujë dhe do të përdoret në rast se zjarri depërton dhe duhet të mbrohet fshati.
„Por konsideroj se fshati në asnjë moment nuk do të rrezikohet, sepse bëhet fjalë për një fshat të banuar, plot me njerëz. Tani kemi rrugë të asfaltuara dhe, përveç faktit që këtu vërejmë bimësi shumë të lartë dhe të thatë, megjithatë banorët lokalë do të ndihmojnë, ashtu siç ndihmuan edhe gjatë ditës së djeshme“, shton Angellov.
Pasditen e sotme edhe Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) deklaroi se zjarri pranë fshatit Nikushtak të Likovës është ende aktiv dhe se për momentin në shuarjen e tij po ndërhyn një ekip i njësisë kundër zjarrit të Kumanovës me tre automjete zjarrfikëse. Të përfshira janë edhe ekipet e NP „Pyjet Kombëtare“. Në varësi të kushteve meteorologjike, thonë nga QMK-ja, gjatë ditës është e mundur edhe ndërhyrja nga ajri, me qëllim lokalizimin më të shpejtë të zjarrit.
Ndërkohë, Angellov, në raportin e mëngjesit për gjendjen e zjarreve në vend, tha se zjarri në territorin e fshatit Nikushtak është jashtë kontrollit, pavarësisht ndërhyrjes së djeshme të „er traktorëve“ të DMSH-së, të cilët hodhën 81 tonë ujë në vendin ku kishte shpërthyer zjarri.
Zjarret e tjera, siç theksoi drejtori i DMSH-së, janë më të vogla.
Kujtojmë se Qeveria ka shpallur gjendje të krizës në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në fund të gushtit për shkak të rritjes së rreziqeve dhe kërcënimeve nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore. Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik (IShP) u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa për mbrojtje nga vala e të nxehtit.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut, viteve të kaluara është përballur me shumë zjarre. Gjatë muajit gusht dhe shtator të vitit të kaluar u raportuan një sërë zjarresh.



