LajmeRajon

Mali i Zi ofron 500.000 euro për informacione mbi Radoje Zvicerin, kreun e klanit kriminal të Kavaçit

Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi ka vendosur të shpallë një shpërblim prej 500 mijë eurosh për informacione që do të çonin në gjetjen dhe arrestimin e Radoje Zvicerit, i cilësuar si udhëheqës i klanit kriminal të Kavaçit, raportoi RTCG-ja.

Autoritetet malazeze garantojnë anonimitet të plotë dhe mbrojtjen e identitetit të të gjithë personave që do të japin informacione të dobishme.

Radoje Zvicer (42) ndodhet prej vitesh në arrati dhe konsiderohet një nga kriminelët më të kërkuar në Ballkan. Ndaj tij është lëshuar një fletarrest ndërkombëtar i kuq nga Interpoli, për shkak të dyshimeve të bazuara se ka kryer një numër të madh veprash të rënda penale.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi, shpërblimi vlen vetëm për informacionet që kontribuojnë drejtpërdrejt në arrestimin e tij.

Të drejtë për shpërblimin nuk do të kenë personat që dorëzojnë informacione tashmë të njohura, punonjësit e policisë dhe anëtarët e familjeve të tyre, si dhe personat ndaj të cilëve janë lëshuar fletarrestime ndërkombëtare ose që kanë marrë pjesë në vepra penale të lidhura me Zvicrën.

Informacionet duhet t’i dorëzohen personalisht vetëm drejtorit të Drejtorisë së Policisë, ndihmësdrejtorit për luftimin e krimit ose drejtuesit të Departamentit të Policisë Speciale, me paralajmërim paraprak të detyrueshëm përmes numrave zyrtarë të telefonit.

Vendimin për pagesën e shpërblimit, pas vlerësimit të besueshmërisë së informacioneve, e merr Qeveria e Malit të Zi, me propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Prokuroria malazeze e ka akuzuar Zvicerin për drejtimin e një grupi të organizuar kriminal, vrasje të rënda, trafik droge, pastrim parash dhe armëmbajtje pa leje. Në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë në Podgoricë e dënoi në mungesë me 40 vjet burg.

Në maj të vitit 2020, Zvicer i mbijetoi një atentati në Kiev, ku mbeti i plagosur rëndë.

Përveç Malit të Zi, atë e kërkojnë edhe vende të tjera evropiane, përfshirë Austrinë, e cila në vitin 2024 ofroi një shpërblim prej 20 mijë eurosh për informacione lidhur me përfshirjen e tij në trafikimin e drogës.

Klani i Kavaçit, i drejtuar prej tij, është prej vitesh në konflikt me klanin rival të Shkalarit. Kjo luftë, e cila nisi në vitin 2014 pas zhdukjes së një ngarkese me kokainë në Spanjë, ka marrë më shumë se 60 jetë në rrugët e Ballkanit dhe Evropës, përfshirë edhe kalimtarë të rastit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close