
Një realitet i ri po krijohet në terren dhe, bashkë me të, po ndryshon edhe mënyra se si duhet të kuptohet dialogu Kosovë–Serbi. Zhvillimet e fundit rreth hapjes së Urës së Ibrit dhe ndryshimi i qëndrimeve të aktorëve ndërkombëtarë tregojnë se ajo që dikur konsiderohej e pamundur, sot po bëhet realitet. Për Rron Gjinovcin, ky ndryshim nuk është thjesht një çështje simbolike, por dëshmi se terreni politik dhe institucional në veri të Kosovës ka ndryshuar në mënyrë thelbësore.
Në reagimin e tij në Facebook, Gjinovci argumenton se ky realitet i ri duhet ta ndryshojë edhe vetë natyrën e negociatave me Serbinë, përcjell “Bota sot”.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të vazhdojë të negociojë për gjëra që tashmë i ka arritur në terren, por ta zhvendosë fokusin drejt një marrëveshjeje përfundimtare, njohjes reciproke dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë.
Reagimi i plotë
NJË REALITET I RI, NJË “DIALOG” KREJT TJETËR: SI PO NDRYSHON GJITHÇKA NË NEGOCIATAT KOSOVË SERBI, BASHKË ME QËNDRIMET E NDËRKOMBËTARËVE
Hapja e Urës së Ibrit dhe pajtimi i BE-së dhe NATO-s për hapjen e saj nuk është as rastësi, as ndërrim disponimi, është në thelb ndërrim realiteti.
Ju kujtohet kur u tentu hapja e urës, NATO i vendosi karabinierët për me e pengu hapjen e saj. Çka bani Qeveria e Kosovës? I ndërtoi dy ura tjera në afërsi, në të dy anët e urës ekzistuese, me ç’rast relevanca praktike e kësaj ure të mbyllun humbi pothuajse tërësisht. Ajo mbeti një simbol, për të cilin nuk ka më kuptim me angazhu personel ushtarak për me e mbajtë të mbyllun, sepse urat po ndërtohen gjithandej nëpër Ibër.
Përmes këtij shembulli du me tregu se si ka me ndryshu tërësisht edhe natyra e negociatave Kosovë Serbi.
Kjo për shkak se, prej stagnimit të negociatave viteve të fundit, terreni ka ndryshu radikalisht. Në fakt, ndërprerje formale të dialogut nuk ka pasë, por procesi është ngadalësu dhe pezullu politikisht, fillimisht nga zhvillimet politike në Kosovë dhe tash edhe nga zgjedhjet në Serbi. Ndërkohë, realiteti në veri ka ndryshu në mënyrë fundamentale.
Për më shumë se një dekadë, Kosova ka hy në negociata me Serbinë nga një pozitë jo e favorshme. Një prej argumenteve kryesore që është përdorë vazhdimisht ndaj Kosovës ka qenë se ajo nuk e kontrollonte plotësisht një pjesë të territorit të vet, se atje funksiononin struktura paralele të Serbisë, se ligjet e Kosovës nuk zbatoheshin plotësisht dhe se një pjesë e popullsisë serbe nuk funksiononte brenda sistemit institucional të Kosovës.
Pikërisht për këtë arsye, një pjesë e madhe e negociatave është zhvillu rreth veriut dhe integrimit të tij në sistemin institucional të Kosovës.
Edhe kur është arritë integrimi formal i strukturave serbe, rezultati shpesh ka qenë paradoksal. Policët, gjyqtarët, prokurorët dhe strukturat tjera formalisht janë futë në institucionet e Kosovës, por një pjesë e tyre kanë vazhdu me vepru nën ndikimin dhe koordinimin politik të Serbisë. Pra, Kosova formalisht e fitonte integrimin, ndërsa Serbia ruante një pjesë të konsiderueshme të kontrollit real.
Sot situata është krejt tjetër.
Policia, gjyqësia, prokuroria dhe institucionet tjera të Kosovës funksionojnë në veri si pjesë e sistemit të Kosovës. Pas dorëheqjeve masive të policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë dhe zhvillimeve që pasuan, tentativa për me e sfidu shtetin e Kosovës përmes barrikadave dhe strukturave alternative përfundoi, në praktikë, duke e dobësu edhe më shumë praninë institucionale të Serbisë në veri.
Dhe këtu lind pyetja kryesore, çka negociohet tash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Në të kalumen kishte një logjikë, sado e pafavorshme për Kosovën, që të negociohej për atë pjesë të territorit ku shteti nuk e ushtronte plotësisht autoritetin e vet. Por tash, kur ky realitet ka ndryshu në terren, Kosova nuk ka arsye me negociu përsëri për me fitu diçka që tashmë e ka.
Natyrisht, mund dhe duhet me u negociu për përmirësimin e jetës së serbëve të Kosovës, për të drejtat e tyre, për integrimin dhe për raportin e tyre me institucionet. Kjo është në interes të vetë Kosovës, sepse ata janë qytetarë të Kosovës dhe duhet me jetu me ne, sikurse ne me ta.
Por kjo nuk ka qenë asnjëherë krejt interesi i Serbisë në dialog.
Serbia ka tentu vazhdimisht me kriju një formë autonomie politike për serbët e Kosovës, ose së paku mekanizma që në të ardhmen do të mund ta shtynin Kosovën drejt një lloj federalizimi. Modeli ekstrem i kësaj logjike është Bosnja dhe Hercegovina, një shtet ku struktura e brendshme politike ia mundëson Republikës Srpska me blloku vendime fundamentale dhe, rrjedhimisht, me e kufizu funksionalitetin e krejt shtetit.
Kosova sot nuk ka arsye me pranu një model të tillë dhe as me dhanë koncesione të reja vetëm për me zgjidhë probleme që tashmë janë tejkalu në terren. Këtu qëndron ndryshimi fundamental i negociatave të ardhshme. Në negociata, ai që kontrollon terrenin e ka edhe pozitën më të fortë në tavolinë.
Kosova sot e ushtron sovranitetin dhe autoritetin institucional në veri në një shkallë që nuk e ka ushtru në asnjë fazë tjetër të dialogut me Serbinë. Për këtë arsye, kur negociatat të rifillojnë seriozisht, natyra e tyre ka me qenë krejt tjetër prej asaj që jemi mësu me pa gjatë më shumë se një dekade.
Nuk ka më kuptim që Kosova të negociojë pafundësisht me Serbinë për mënyrën se si organizohet brenda territorit të vet. Tema duhet me kalu prej rregullimit të brendshëm të Kosovës te raporti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Nëse Kosova bën ndonjë kompromis të ri, ai duhet me u bë vetëm në funksion të një marrëveshjeje përfundimtare, njohjes reciproke dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve.
Dikur Kosova negocionte me Serbinë për me e fitu në tavolinë atë që nuk e kishte në terren.Sot, atë që dikur e kërkonte në tavolinë, në masë të madhe e ka në terren. Dhe kjo ka me e ndryshu krejt natyrën e negociatave.
Ashtu siç dikur BE-ja përpiqej me e ba urën e Ibrit temë diskutimi me Serbinë dhe sot pajtohet që ajo me u hapë dhe me u menaxhu nga Policia e Kosovës, pa negociu fare me Serbinë, kështu do të ndodhë me plot tema tjera, derisa të mbërrihet te marrëveshja përfundimtare e normalizimit të marrëdhënieve Serbi Kosovë.



