
187.744 sipërmarrje në Gjermani ndërprenë gjatë vitit të kaluar aktivitetin e tyre, duke shënuar numrin më të lartë të mbylljevenë pothuajse 20 vjet. Krahasuar me vitin pararendës, ky numër u rrit me gati 10 për qind. Këto janë të dhënat e analizës së përbashkët vjetore të agjencisë së informacionit ekonomik Creditreform dhe Qendrës Leibniz për Kërkime Ekonomike Evropiane (ZEW) në Mannheim, transmeton Dojçe Vele (DW).
Sipas analizës dinamika e krizës po përhapet tashmë në të gjitha fushat, përfshirë edhe gastronominë apo sektorin e shëndetësisë. Dhe ndryshe nga vitet e mëparshme tani po e ndërpresin aktivitetin e tyre edhe kompani që, në fakt, janë ekonomikisht të shëndosha dhe të qëndrueshme.
Gastronomia dhe hoteleria
Në analizë thuhet se rritja më e fortë e numrit të mbylljeve të bizneseve u regjistrua në sektorin e gastronomisë dhe të hotelerisë. Në vitin 2025 mbyllën aktivitetin e tyre rreth 15.000 restorante, kafene dhe sipërmarrje akomoduese, që përbën 15 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024.
Që nga 1 janari 2026 në gastronominë gjermane zbatohet një normë e reduktuar TVSH-je prej 7 për qind për ushqimet. Por “ulja e TVSH-së për të mbështetur sektorin e gastronomisë në krahasim me degët e tjera, duket se nuk ka arritur ta zbusë gjendjen e vështirë në këtë sektor”, thuhet në analizë.
Përkeqësim i gjendjes në sektorin e shëndetësisë
Në sektorin e shëndetësisë vazhdoi prirja negative që po vërehet prej rreth dhjetë vitesh: numri i mbylljeve të sipërmarrjeve në këtë fushë, arriti në rreth 11.000 raste, dhe është tashmë rreth dy herë më i lartë se në vitin 2008.
Vetëm gjatë vitit të kaluar mbyllën aktivitetin e tyre afërsisht 5.500 klinika mjekësore, pra rreth 23 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024. Shpesh arsyeja është se mjekët dalin në pension dhe nuk arrijnë të gjejnë dikë që të marrë përsipër dhe të vazhdojë drejtimin e klinikës së tyre.
Edhe industria u godit rëndë
Në sektorin industrial ndërprenë aktivitetin e tyre rreth 11.000 ndërmarrje, që do të thotë 10 për qind më shumë mbyllje krahasuar me një vit më parë.
Eksperti i Creditreform, Patrik-Ludwig Hantzsch, e quajti rritjen e numrit të falimentimeve si një “darë krize” që po e “kap dhe dëmton ekonominë gjermane nga dy anë”: nga njëra anë trazirat gjeopolitike, si lufta me Iranin ose tarifat doganore amerikane, dhe nga ana tjetër çmimet e larta të energjisë dhe burokracia e madhe brenda vendit.
Studiuesja e ZEW-së, Sandra Gottschalk, thekson se vetëm 13 për qind e afro 190.000 mbylljeve të regjistruara gjatë vitit të kaluar ishin si pasojë falimentimi. Sipas saj shumica e bizneseve mbyllen pothuajse pa u vënë re, pa procedura formale falimentimi dhe pa tërhequr vëmendje të madhe publike.



